U kafshua nga ariu dhe humbi jetën?! Ndryshon dinamika e ngjarjes në Bulqizë, 62-vjeçari mund të jetë vrarë me armë zjarri
Vdekja e 62-vjeçarit Urim Fiku në Bulqizë po hetohet tashmë si vrasje, pasi dyshimet fillestare se ai kishte humbur jetën pas sulmit nga një ari janë vënë në pikëpyetje nga konstatimet e ekspertizës mjekoligjore.
Ngjarja u raportua fillimisht nga Policia si sulm nga një kafshë e egër. Sipas njoftimit zyrtar, familjarët e 62-vjeçarit kishin kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin e Bulqizës, pasi dyshohej se ai ishte sulmuar dhe kafshuar nga një ari.
Ngjarja ndodhi në një masiv pyjor në fshatin Godvi, në Njësinë Administrative Zerqan, ku Fiku ndodhej duke kullotur bagëtinë.
Pas ngjarjes, trupi i pajetë u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë për ekzaminime të mëtejshme.
Gjatë ekspertizës, sipas informacioneve paraprake, në gjoksin e 62-vjeçarit është konstatuar një shenjë plumbi. Ky konstatim ka ngritur dyshimet se ai mund të jetë qëlluar me armë zjarri.
Ndërkohë, Policia dhe Prokuroria po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.




