Këto janë 5 vendet më të përgatitura për një katastrofë apo luftë globale, dy prej tyre ndodhen në Europë

04/11/2026 09:48

Në një kohë kur bota përballet me tensione gjeopolitike, ndryshime klimatike dhe rrezikun e krizave të mëdha globale, gjithnjë e më shumë vëmendje po i kushtohet vendeve që kanë kapacitetin të përballojnë situata ekstreme.

Sipas një vlerësimi që merr në konsideratë faktorë të ndryshëm si siguria energjetike, burimet natyrore, furnizimi me ujë dhe ushqime, si dhe infrastruktura për menaxhimin e emergjencave, disa shtete konsiderohen më të përgatitura për të përballuar një katastrofë globale. Mes tyre spikat Islanda, e cila renditet në vendin e dytë.

Islanda ka një pozicion të favorshëm falë burimeve të shumta natyrore dhe shfrytëzimit të gjerë të energjisë gjeotermale dhe asaj hidroelektrike. Kjo i mundëson vendit të reduktojë ndjeshëm varësinë nga karburantet e importuara dhe të sigurojë një nivel më të lartë të pavarësisë energjetike.

Popullsia e vogël, dendësia e ulët e saj dhe rezervat e bollshme ujore janë gjithashtu avantazhe të rëndësishme.

Megjithatë, izolimi gjeografik nuk e bën Islandën plotësisht të paprekshme. Një ndërprerje e zgjatur e furnizimeve me produkte të importuara mund të krijojë vështirësi serioze për vendin.

Në vendin e tretë renditet Zvicra, e cila dallohet për infrastrukturën e zhvilluar dhe sistemin e organizuar të mbrojtjes civile.

Vendi ka një rrjet të gjerë strehimesh nëntokësore, ndërsa përgatitja për situata emergjente është pjesë e strategjisë së tij kombëtare prej dekadash.

Relievi malor, rezervat e ujit të pijshëm dhe ekonomia e fuqishme janë elemente të tjera që rrisin aftësinë e Zvicrës për të përballuar kriza të mëdha. Edhe politika e saj tradicionale e neutralitetit mund të përbëjë një avantazh në disa skenarë të konflikteve ndërkombëtare.

Në vendin e katërt renditet Norvegjia, e cila ka burime të konsiderueshme natyrore, prodhim të lartë energjetik dhe potencial të madh për shfrytëzimin e burimeve të rinovueshme.

Rezervat ujore, dendësia relativisht e ulët e popullsisë dhe funksionimi i mirë i institucioneve shtetërore e bëjnë atë një nga vendet me kapacitet të lartë rezistence ndaj krizave. Ndërsa vendin e pestë e zë Finlanda, e njohur për përgatitjen e saj ndaj situatave të jashtëzakonshme.

Ajo disponon një sistem të organizuar të mbrojtjes civile, rrjet strehimesh dhe plane konkrete për garantimin e shërbimeve bazë edhe në rrethana shumë të vështira. Prodhimi vendas i ushqimeve, burimet pyjore dhe rezervat ujore janë gjithashtu faktorë të rëndësishëm.

Ajo që i bashkon këto pesë shtete është kombinimi i avantazheve natyrore me përgatitjen institucionale dhe infrastrukturore.

Qasja në ujë dhe ushqime, siguria energjetike, burimet natyrore dhe aftësia për të menaxhuar emergjencat mund të jenë vendimtare në rast se zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit dhe shërbimet publike pësojnë ndërprerje të mëdha.

Megjithatë, asnjë prej këtyre vendeve nuk mund të konsiderohet plotësisht e paprekshme nga një katastrofë globale.

Një konflikt bërthamor, një krizë e zgjatur klimatike apo një pandemi e rëndë mund të shkaktojnë pasoja shumë përtej kufijve të shteteve të prekura drejtpërdrejt.

Vlerësime të tilla, të cilat synojnë të kombinojnë të dhëna të ndryshme për të identifikuar vendet më rezistente ndaj krizave, mbeten gjithmonë të kushtëzuara nga natyra e katastrofës, kohëzgjatja e saj dhe aftësia e secilit shtet për t’u përshtatur me rrethana të paparashikueshme.

Top Channel