Shpërthim në një shkollë në Gjermani, plagosen 10 nxënës, pesë prej tyre dërgohen në spital Policia holandeze ka nisur një kërkim ndërkombëtar për 41-vjeçaren, Ninoslava Jović, nga qyteti i Nishit në Serbi, e dyshuar për përfshirje në një prej grabitjeve më të mëdha të bizhuterive në Evropë.
Ngjarja ndodhi më 28 qershor të vitit 2022, gjatë panairit prestigjioz të artit dhe antikave TEFAF, në Maastricht të Holandës, ku u vodhën bizhuteri me vlerë rreth 40 milionë euro, shkruan media serbe Blic. Jović është përfshirë në listën e personave më të kërkuar në Evropë. Fotot dhe përshkrimi i saj janë publikuar në faqet zyrtare të policisë holandeze dhe Europol-it.
Sipas hetuesve, 41-vjeçarja aktualisht dyshohet se ndodhet në Serbi dhe është parë për herë të fundit në Nish. Megjithatë, autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që ajo të ketë udhëtuar drejt vendeve të tjera.
Prokuroria holandeze në provincën e Limburgut ka ofruar një shpërblim prej 20 mijë eurosh për informacionet që mund të çojnë në arrestimin e personave të kërkuar. Sipas policisë, Ninoslava Jović nuk ka marrë pjesë drejtpërdrejt në thyerjen e vitrinave dhe vjedhjen e bizhuterive, por dyshohet se ka ndihmuar autorët e grabitjes.
Ajo është njëra prej pesë shtetasve serbë që kërkohen nga autoritetet holandeze për këtë ngjarje. Në listën e të kërkuarve janë edhe Aleksandar Cenić (50 vjeç), Aleksandar Stojiljković (50), Duško Dimitrijević (50) dhe Bratislav Stojanović (41).
Hetuesit dyshojnë se katër burrat janë pjesë e grupit kriminal Pink Panther, i njohur ndërkombëtarisht për grabitjen e dyqaneve luksoze dhe vjedhjen e sendeve me vlerë në vende të ndryshme të botës. Policia ka publikuar edhe përshkrimin fizik të Jović. Ajo ka sy kafe, flokë natyralisht kafe ose të lyer në bionde, buzë të plota dhe dy tatuazhe në parakrahë. Në krahun e djathtë ka të tatuazhuar emrin “Selena”, ndërsa në të majtin fjalën “Faith”.
Kërkohen edhe dy gra të filmuara pas grabitjes
Përveç pesë shtetasve serbë, hetuesit po përpiqen të identifikojnë edhe dy gra të filmuara nga kamerat e sigurisë pas grabitjes. Ato ndodheshin në automjetin tip Opel që dyshohet se përdorën autorët pas vjedhjes. Makina, pas një ndalese të shkurtër në Belgjikë, u gjet në parkingun e një hoteli në Frankfurt të Gjermanisë.
Kamerat e sigurisë së hotelit filmuan momentin kur dy gratë dolën nga automjeti. Të dyja mbanin fustane, ndërsa njëra prej tyre kishte veshur sandale të kuqe.
Policia thekson se nuk i konsideron ato të dyshuara për grabitjen, por kërkon t’i marrë në pyetje, pasi mund të kenë informacione të rëndësishme për identifikimin dhe lokalizimin e personave të arratisur.
Grabitja me çekiçë, u vodhën bizhuteri me vlerë 40 milionë euro
Grabitja spektakolare ndodhi më 28 qershor 2022, gjatë panairit TEFAF në Maastricht.
Katër burra, të cilët ishin paraqitur si vizitorë të zakonshëm, iu afruan stendës ku ekspozoheshin bizhuteritë luksoze dhe më pas përdorën çekiçë për të thyer vitrinat prej xhami dhe për të marrë sendet me vlerë.
Dëmi i përgjithshëm vlerësohet në rreth 40 milionë euro. Mes sendeve të vjedhura ishte edhe një gjerdan me diamant të verdhë, me vlerë rreth 27 milionë euro. Një pjesë e vogël e bizhuterive të grabitura është gjetur më vonë në Hong Kong, Izrael dhe Botsvanë.
Prokuroria holandeze vijon t’u bëjë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e të kërkuarve.
Edhe kompania e sigurimeve ka ofruar një shpërblim deri në 600 mijë euro për informacione që do të çonin në gjetjen dhe rikuperimin e bizhuterive të vjedhura.
Top Channel