Influencuesja e fitnesit Khiana Smith, 23 vjeçe, nga Australia, është shtruar në terapi intensive në Bali, pasi u diagnostikua me meningjit bakterial, një infeksion potencialisht vdekjeprurës.
E reja ka kaluar nëntë ditë në terapi intensive, duke përjetuar humbje të kujtesës, turbullim të shikimit, vështirësi në të folur dhe ndjeshmëri të fortë ndaj dritës. Gjithçka nisi me një dhimbje të fortë koke, e cila u përkeqësua me marramendje dhe dhimbje të padurueshme.
Nga spitali, Khiana tregoi se ndihet e pafuqishme dhe dëshiron të kthehet në Australi, por gjendja shëndetësore nuk ia lejon ende udhëtimin me avion.
“Vetëm pak javë më parë isha e shëndetshme, duke udhëtuar dhe jetuar ëndrrën time. Nuk e imagjinoja se do të përfundoja në një shtrat spitali duke luftuar për jetën”, u shpreh ajo.
Meningjiti bakterial është një urgjencë mjekësore që, pa trajtim të menjëhershëm, mund të shkaktojë dëmtime të rënda neurologjike ose vdekje. Sipas raportimeve të tjera, gjendja e saj është komplikuar edhe nga pneumonia.

