Ngjarja fatale në futbollin spanjoll, autoritetet spanjolle konfirmojnë se do të hapin hetime për vdekjen e Jesus de Miguel La Liga po mendon të pezullojë ndeshjet e kësaj fundjave në Primera dhe Segunda Division në futbollin spanjoll.
Organizmi i drejtuar nga Javier Tebas, ashtu sikurse e gjithë bota e futbollit, është në zi për vdekjen tragjike të sulmuesit të Tenerifes, Jesus de Miguel, pas një arresti kardiak të pësuar pas një përplasjeje me portierin kundërshtar në ndeshjen me FC Andorra.
Sipas informacioneve të dhëna në programin ‘El largero’ në rrjetin transmetues SER, La Liga po mendon të shtyjë ndeshjet e raundit të ardhshëm të ndeshjeve të dy kategorive më të larta të futbollit spanjoll. Mësohet se janë zhvilluar takime ku është diskutuar kjo temë dhe në orët në vazhdim do të merret edhe vendimi zyrtar.
Megjithatë kjo nuk është një çështje e lehtë sepse, gjithnjë sipas informacioneve të SER, ka faktorë apo variabla për t’u mbajtur në konsideratë siç janë aspektet kontraktuale me operatorët televizivë, sponsorët, kalendarit. ‘është një çështje që po studiohet dhe është e mundur që java e 12 në La Liga dhe e 13 në La Liga 2 të shtyhen-thuhet në informacionin e SER.
Ndërkaq për momentin është shtyrë zyrtarisht sfida mes Granadës dhe Tenerifes në La Liga 2 që ishte programuar të luhej ditën e shtunë. Federata Spanjolle e Futbollit kishte shtyrë më parë ndeshjet e Kupës së Mbretit të së martës dhe të Kupës së Mbretëreshës në futbollin e vajzave.
‘Ndjej thellësisht dhimbje për vdekjen e Jesus de Miguel Alameda, të gjithë ndjejmë dhimbjen e tmerrshme të një humbjeje të pariparueshme. Ngushëllimet e mia më të ndjera për familjen dhe të dashurit e tij, shokëve të skuadrës dhe të gjithë klubit. Dhuroj të gjithë afeksionin dhe mbështetjen time në këtë moment kaq të vështirë. U prehtë në paqe.’-ishte mesazhi i presidentit të La Liga, Javier Tebas
Top Channel