“Votë kundër urrejtjes dhe elitave”/ Demokratët triumfojnë në SHBA, reagojnë liderët botërorë Rritja e pagave për punonjësit e Gardës së Republikës dhe shërbimin zjarrfikës, si dhe investimet për forcimin e kapaciteteve të pushtetit vendor, kanë qenë disa nga çështjet e ngritura gjatë diskutimeve për projektbuxhetin 2027 në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes.
Deputeti i Partisë Socialiste, Agron Malaj, propozoi që Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, të vlerësojë mundësinë e rritjes së pagave për punonjësit e Gardës së Republikës dhe zjarrfikësit, duke theksuar rëndësinë e këtyre strukturave në garantimin e sigurisë dhe përballimin e emergjencave.
Malaj u ndal fillimisht te financimi i pushtetit vendor, duke kërkuar një shpërndarje të drejtë të burimeve dhe forcimin e kapaciteteve të bashkive për përballimin e emergjencave.
“Propozoj që Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me atë të Financave, të vlerësojnë mjaftueshmërinë e funksioneve vendore, duke i kushtuar vëmendje të veçantë rritjes së pagave të zjarrfikësve dhe forcimit të kapaciteteve të bashkive. Rëndësi të veçantë ka që financimi i pushtetit vendor të shoqërohet me një shpërndarje të drejtë të burimeve, forcimin e kapaciteteve për emergjencat”, u shpreh Malaj.
Më tej, deputeti u ndal te trajtimi financiar i Gardës së Republikës, duke theksuar se kjo strukturë ka një rol thelbësor në mbrojtjen e institucioneve kushtetuese të shtetit.
“Dua të ndalem te trajtimi i Gardës së Republikës dhe i mbrojtjes nga zjarri. Garda është një hallkë thelbësore e sigurisë institucionale që kontribuon në mbrojtjen dhe vijimësinë e institucioneve kushtetuese të shtetit. Për Gardën e Republikës, projektbuxheti i shtetit parashikon një buxhet prej 2.8 miliardë lekësh, nga të cilat pjesa më e madhe destinohet për shpenzimet e personelit. Prej vitesh, punonjësit e Gardës kanë ngritur kërkesë për përmirësimin e trajtimit financiar. Është përgjegjësia jonë që këto kërkesa të mos mbeten pa trajtuar dhe të merren në konsideratë në këtë moment që projektbuxheti i vitit parashikon një rritje të konsiderueshme të pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit”, deklaroi ai.
Malaj theksoi se edhe shërbimi zjarrfikës duhet të ketë një trajtim më të mirë financiar, duke pasur parasysh rreziqet me të cilat përballen punonjësit e këtij shërbimi.
“Po kështu, shërbimi zjarrfikës është në vijën e parë të përballimit të emergjencave dhe shpeshherë punonjësit vënë në rrezik jetën e tyre. Për këtë arsye, trajtimi financiar i këtyre strukturave nuk duhet parë thjesht si çështje pagash, por si një investim në sigurinë institucionale, në mbrojtjen e jetës dhe qëndrueshmërinë e shërbimeve publike. Duke vlerësuar rritjen e pagave të Policisë së Shtetit, vlerësoj se duhet shqyrtuar mundësia e shtrirjes së kësaj politike edhe te Garda dhe shërbimi zjarrfikës”, u shpreh deputeti i PS-së.
Në përfundim të propozimeve të tij, Malaj kërkoi që komisioni të rekomandojë dy ndërhyrje konkrete për Gardën e Republikës dhe një ndërhyrje për shërbimin zjarrfikës.
“Komisioni të rekomandojë dy ndërhyrje konkrete për Gardën e Republikës: Ministria e Brendshme dhe ajo e Financave të shohin mundësinë e harmonizimit të pagave me ato të Policisë së Shtetit, sipas gradave dhe funksioneve përkatëse. Nga kërkesat e Gardës së Republikës është e nevojshme rinovimi i flotës së automjeteve, modernizimi i pajisjeve dhe i sistemit të sigurisë, si dhe rikonstruksioni i objektit të Gardës në Vlorë, investim i kërkuar prej më shumë se pesë vitesh. Garda ka nevojë për një mbështetje të plotë. Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri të shihet mundësia e përmirësimit të trajtimit financiar”, tha Malaj.
Kryetari i komisionit, Bledi Çuçi, vlerësoi projektbuxhetin e paraqitur nga Ministria e Brendshme, duke veçuar rritjen e pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe shtimin e transfertës së pakushtëzuar për pushtetin vendor.
“Sigurisht, edhe nga ajo që dëgjuam nga Ministri i Punëve të Brendshme, konstatoj me kënaqësi që kemi një buxhet të mirëbalancuar, por duhet të veçojmë dy momente që janë edhe një risi për këtë buxhet. E para ka të bëjë me rritjen e ndjeshme të pagave të nivelit bazë të punonjësve të Policisë së Shtetit, pra të gjithë atyre me gradën inspektor, një rritje prej 250 eurosh në muaj, rritja më e lartë që ka pasur ndonjëherë policia në nivelin bazë. Ky është një lajm shumë i mirë për Policinë e Shtetit.
Dhe e dyta, dua të veçoj buxhetin për pushtetin vendor në dy momente. Momenti i parë është rritja e transfertës së pakushtëzuar prej 5%, që do të thotë më shumë pavarësi për njësitë e qeverisjes vendore. Granti i pakushtëzuar u shkon në bllok njësive vendore dhe janë 100% përgjegjëse ato për ta shpenzuar. Dhe e dyta, fillimi i projektit të dixhitalizimit, një moment epokal për mënyrën se si jepen shërbimet në nivelet e qeverisjes vendore”, deklaroi Çuçi.
Nga ana e tij, deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ngriti një sërë shqetësimesh lidhur me përdorimin e mjeteve dhe pajisjeve të Policisë së Shtetit gjatë protestave të fundit.
Kapri iu drejtua ministrit të Brendshëm, duke kërkuar informacion mbi blerjen ose burimin e mjeteve të ujit që përdoren për shpërndarjen e protestuesve, si dhe për dronët e përdorur nga policia gjatë tubimeve.
“Zoti Ministër i Brendshëm, e dëgjova me mjaft interes parashtrimin tuaj për projektbuxhetin, që qeveria ka zgjidhur qesen për të rritur pagat.
Në polici ka pasur në inventar prej dy makinash bote që shpërndajnë protestën me ujë dhe është vënë re që këto ditët e fundit janë shtuar edhe katër të tjera, dy të zeza, mjaft moderne, dhe dua të di sa ka kushtuar blerja e tyre. Dhe nëse ju nuk keni harxhuar para, dua të di nga cili shtet janë dhuruar.
Kemi parë përdorimin e dronëve të mëdhenj, të avancuar, nga Policia e Shtetit, që fluturojnë mbi kokat e protestuesve dhe hedhin bomba gazi lotsjellës. Dy prej tyre kanë rënë mbi kokat e protestuesve. Kjo është pjesë tjetër e përgjegjësisë, nëse ka mbajtur policia përgjegjësi se kush i pilotonte dhe pse ranë.
Në asnjë vend perëndimor nuk ka dronë që fluturojnë mbi kokat e protestuesve, madje ndalohen se janë të rrezikshëm. Ju jo vetëm që i lëshoni dronët, por u lëshoni edhe gaz lotsjellës mbi ta. Mbi çfarë baze ligjore e bëni këtë?
Pra, ju keni rrezikuar jetën e protestuesve duke përdorur makina moderne të ujit, gaz lotsjellës në një sasi kolosale, por edhe dronë që fluturojnë mbi kokat e tyre, por që janë rrëzuar.
Ministri tha që numri i të plagosurve nga protestuesit është shumë më i ulët se numri i punonjësve të policisë. Ju a keni dijeni për dhjetëra protestues që janë dëmtuar rëndë nga shkopat e gomës, plumbat e gomës, gazi lotsjellës, të cilët nuk shkojnë në spital për t’u trajtuar nga frika e represionit?”, u shpreh Kapri.
Kapri kërkoi informacion për katër mjetet e reja të ujit që, sipas tij, i janë shtuar flotës së Policisë së Shtetit, duke pyetur për koston e blerjes së tyre ose nëse janë dhuruar nga ndonjë shtet.
“Në polici ka pasur në inventar prej dy makinash bote që shpërndajnë protestën me ujë dhe është vënë re që këto ditët e fundit janë shtuar edhe katër të tjera, dy të zeza, mjaft moderne dhe dua të di sa ka kushtuar blerja e tyre. Dhe nëse ju nuk keni harxhuar para, dua të di nga cili shtet janë dhuruar”, deklaroi Erald Kapri.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për përdorimin e dronëve gjatë protestave, duke kërkuar sqarime për bazën ligjore të përdorimit të tyre dhe përgjegjësinë për incidentet.
“Kemi parë përdorimin e dronëve të mëdhenj, të avancuar, nga Policia e Shtetit, që fluturojnë mbi kokat e protestuesve dhe hedhin bomba gazi lotsjellës. Dy prej tyre kanë rënë mbi kokat e protestuesve. Kjo është pjesë tjetër e përgjegjësisë, nëse ka mbajtur policia përgjegjësi se kush i pilotonte dhe pse ranë.
Në asnjë vend perëndimor nuk ka dronë që fluturojnë mbi kokat e protestuesve, madje ndalohen se janë të rrezikshëm. Ju jo vetëm që i lëshoni dronët, por u lëshoni edhe gaz lotsjellës mbi ta. Mbi çfarë baze ligjore e bëni këtë?”, u shpreh deputeti.
Nga ana tjetër, kryetari i komisionit, Bledi Çuçi, u ndal te rritja e pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit, duke bërë të ditur se punonjësit me gradën inspektor do të përfitojnë 250 euro më shumë në muaj.
“Ka të bëjë me rritjen e ndjeshme të pagave të nivelit bazë të punonjësve të Policisë së Shtetit, pra të gjithë atyre me gradën inspektor, një rritje prej 250 euro në muaj, rritja më e lartë që ka pasur ndonjëherë policia në nivelin bazë. Ky është një lajm shumë i mirë për Policinë e Shtetit”, deklaroi Çuçi.
Top Channel