Thursday / November 5 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Bota Europa

Inflacioni në Eurozonë arrin 4%, niveli më i lartë në tre vjet, rritet presioni mbi BQE-në

Share Share Icon

Inflacioni në Eurozonë u përshpejtua në tetor, duke arritur nivelin më të lartë në tre vjet, ndërsa rritja e çmimeve të energjisë po shton presionin mbi Bankën Qendrore Europiane (BQE) për të shtrënguar më tej politikën monetare.

Sipas Reuters, inflacioni vjetor në 21 vendet e Eurozonës arriti në 4% në tetor 2026, nga 3.8% në shtator, në përputhje me pritshmëritë e ekonomistëve. Norma është dyfishi i objektivit prej 2% të BQE-së, ndërsa çmimet e energjisë mbeten faktori kryesor i përshpejtimit të inflacionit.

Rritja e çmimeve të naftës dhe gazit, e lidhur me konfliktin në Iran dhe pasigurinë për furnizimet ndërkombëtare, ka shtuar kostot për konsumatorët dhe bizneset europiane. Inflacioni vjetor i energjisë arriti në 20.8% në tetor, duke vijuar përshpejtimin nga muajt e mëparshëm.

Ndërkohë, inflacioni bazë, që përjashton çmimet e energjisë dhe ushqimeve, mbeti i pandryshuar në 2.5%. Inflacioni i shërbimeve u rrit lehtë në 3.3%, duke reflektuar vijimin e presioneve mbi çmimet edhe në sektorët që nuk lidhen drejtpërdrejt me energjinë.

Rritja e kostove të karburanteve, veçanërisht e naftës, po ndikon gjithashtu në transportin dhe shpërndarjen e mallrave. Çmimet më të larta të gazit natyror po shtojnë shpenzimet e industrisë, ndërsa rezervat relativisht të ulëta europiane të gazit mbeten një tjetër shqetësim për muajt e dimrit.

Banka Qendrore Europiane i ka rritur dy herë normat e interesit gjatë këtij viti, pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme në shkurt. Në mbledhjen e fundit, në fund të tetorit, institucioni vendosi t’i mbajë të pandryshuara normat, për të vlerësuar ecurinë e inflacionit dhe ndikimin e shtrenjtimit të energjisë në ekonomi.

Megjithatë, disa anëtarë të Këshillit Drejtues kanë sinjalizuar mundësinë e një tjetër rritjeje në dhjetor. Presidenti i Bundesbank, Joachim Nagel, ka deklaruar se një rritje e normave të interesit mund të jetë e nevojshme nëse perspektiva e inflacionit nuk përmirësohet ndjeshëm.

Tregjet financiare po përllogarisin një mundësi prej rreth 70% për rritjen e normave të interesit me 0.25 pikë përqindjeje në dhjetor. Pritshmëritë për shtrëngim të mëtejshëm monetar janë forcuar edhe nga ecuria e ekonomisë së Eurozonës, e cila regjistroi rritje prej 0.4% gjatë tremujorit të tretë.

Në parashikimet e saj, BQE pret që inflacioni të mbetet mbi 4% gjatë një pjese të konsiderueshme të gjysmës së parë të vitit 2027, përpara se të ngadalësohet gradualisht drejt objektivit prej 2%, me zbehjen e ndikimit të rritjes së çmimeve të energjisë.

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Bota /

Nafta në rënie të fortë, Brent zbret nën 94 dollarë për fuçi

Çmimet e naftës vijuan rënien për të katërtën ditë radhazi të enjten, më 5 nëntor, duke zbritur në nivelet më të ulëta që nga fundi i gushtit, ndër...

5 hours më parë 2 Min Lexim

Gjigantët e naftës po përfitojnë nga lufta SHBA-Iran, BE kërkon taksimin e superfitimeve

Një raport i ri, i porositur nga Greenpeace Gjermani, ka zbuluar se kompanitë e naftës kanë siguruar 36 miliardë euro marzhe shtesë nga pasojat e k...

5 hours më parë 8 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!