Policia ka zbardhur grabitjen me dhunë të një pike karburanti në Klos, ku dy persona dhunuan punonjësin dhe i morën xhiron ditore të turnit.
Në kuadër të operacionit të policisë, janë arrestuar dy të rinjtë Julian Mosha, 22 vjeç, dhe Mateo Devole, 21 vjeç.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 01:10 të datës 3 nëntor 2026. Sipas policisë, dy persona kanë ushtruar dhunë ndaj punonjësit të karburantit, shtetasit me inicialet S. M., dhe më pas i kanë marrë një shumë parash që përfaqësonte xhiron e turnit.
Pas njoftimit për ngjarjen, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat i veprimeve hetimore, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i dy autorëve.













