Policia ka identifikuar dhe arrestuar dy të rinj të dyshuar për grabitjen me dhunë të një pike karburanti në Klos, ku punonjësit iu mor xhiroja ditore e turnit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:10 të datës 3 nëntor 2026. Sipas Policisë, dy persona kanë ushtruar dhunë ndaj punonjësit të karburantit, shtetasit me inicialet S. M., dhe më pas i kanë marrë një shumë parash që përfaqësonte xhiron e turnit.
Pas njoftimit për ngjarjen, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, nisën hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në kuadër të operacionit të koduar “Koordinimi”, u arrestuan dy të dyshuarit: J. L., 22 vjeç, banues në fshatin Dars të Klosit, dhe M. D., 21 vjeç, banues në Tiranë.
Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Nr. 1 dhe Nr. 6 në Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.