Nga emigrantë në sipërmarrës/ Shqiptarët lënë gjurmë në Itali, qyteti ku komuniteti ynë është ndër më të fuqishmit

04/11/2026 13:37

Qyteti italian i Chiari-t, në provincën e Breshias, është kthyer në një nga qendrat më të rëndësishme të komunitetit shqiptar në këtë zonë. Me 1,342 banorë, shqiptarët përbëjnë 8.2% të popullsisë së qytetit, duke u renditur si komuniteti më i madh i huaj, pas italianëve.

Prania shqiptare në Chiari nuk është më thjesht një histori emigracioni, por një pjesë e rëndësishme e jetës sociale dhe ekonomike të qytetit. Shqiptarët kanë krijuar familje, kanë hapur biznese dhe kanë ngritur sipërmarrje, duke u integruar ndër vite në komunitetin vendas, shkruan “Corriere Della Sera”. 

Për këtë arsye, lajmi për vdekjen e Meleqe Lushës ka shkaktuar tronditje dhe mosbesim te shumë bashkëkombës që jetojnë në këtë qytet. Sipas të dhënave të publikuara nga mediat italiane, shqiptarët përbëjnë komunitetin e huaj më të madh në Chiari, me 1,342 banorë, ndërsa përfaqësojnë 8.2% të popullsisë së përgjithshme. Këto shifra nuk përfshijnë shqiptarët që ndër vite kanë marrë shtetësinë italiane.

Një tjetër tregues që dëshmon përmasat e këtij komuniteti është fakti se në Chiari jeton pothuajse një në dhjetë shqiptarë që banojnë në të gjithë provincën e Breshias.

Nga emigracioni i viteve ’90 te krijimi i bizneseve dhe familjeve

Emigracioni shqiptar drejt kësaj zone mori hov kryesisht gjatë viteve 1990 dhe në fillim të viteve 2000. Shumë prej atyre që mbërritën në atë periudhë arritën të merrnin më vonë shtetësinë italiane, ndërsa të tjerë krijuan familje dhe rritën fëmijët e tyre në Itali.

Puna ishte një nga faktorët kryesorë të këtij integrimi. Shqiptarët janë veçanërisht të pranishëm në sektorin e ndërtimit, por kontributi i tyre nuk kufizohet vetëm në punësimin si të vetëpunësuar apo punonjës.

Sipas të dhënave për provincën e Breshias, shqiptarët përbëjnë grupin e dytë kombëtar, pas pakistanezëve, mes shtetasve të huaj që janë ortakë, pronarë apo mbajnë pozicione drejtuese në biznese.

Brezi i ri, gjithnjë e më i integruar në shoqërinë italiane

Prania e komunitetit shqiptar ndihet edhe në jetën publike të Chiari-t, ku pesha e tij është bërë një element i rëndësishëm edhe në dinamikat elektorale. Ndërkohë, brezi i dytë i shqiptarëve po ndjek rrugë të ndryshme nga ato të prindërve. Shumë të rinj vijojnë studimet universitare, ndërsa të tjerë janë integruar tashmë në profesione të ndryshme dhe në aktivitetet ekonomike të zonës.

Pas më shumë se tri dekadash emigracion, shqiptarët në Chiari nuk përfaqësojnë më vetëm një komunitet emigrantësh, por një pjesë të konsoliduar të identitetit shoqëror dhe ekonomik të qytetit.

Ky realitet shpjegon edhe lidhjet e forta mes bashkëkombësve dhe reagimin e madh që shkaktojnë ngjarjet e rënda që prekin komunitetin shqiptar në këtë zonë të Italisë.

Top Channel