Lavatriçe, biçikletë dhe… kokainë! Arrestohet 56-vjeçari në Muriqan pas kontrollit të makinës 

04/11/2026 13:55

Një 56-vjeçar është arrestuar në pikën kufitare të Muriqanit, pasi tentoi të fuste në Shqipëri mbi 1 kilogram kokainë.

Policia bën me dije se operacioni i koduar “Bashkëpunimi” u finalizua në bashkëpunim me autoritetet doganore, pas shkëmbimit të informacionit dhe analizës së riskut.

Gjatë kontrollit të detajuar në vijën e dytë, në automjetin tip “Renault”, që drejtohej nga shtetasi A. H., u gjet një pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë mbi 1 kilogram, e fshehur brenda një çante.

Në vijim të veprimeve, 56-vjeçari, banues në Durrës, u arrestua në flagrancë. Ndërkohë, lënda narkotike dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Policia bën me dije se hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.

Top Channel