Dita e 23 e revoltës, studentët nuk pranojnë dialog: Rama jepe dorëheqjen!
Protesta studentore kundër qeverisë së Edi Ramës ka hyrë në ditën e 23-të, ndërsa të rinjtë kanë vijuar mobilizimin në rrugët e Tiranës me thirrje për dorëheqjen e kryeministrit dhe ndryshim të situatës politike në vend.
Me pankarta në duar dhe slogane kundër qeverisë dhe klasës politike, studentët kanë zhvilluar një marshim drejt Fakultetit të Ekonomikut, ku kanë kërkuar mbështetjen e të rinjve të tjerë për t’iu bashkuar revoltës.
Mesazhi i tyre ka qenë i drejtpërdrejtë: largimi i Edi Ramës nga drejtimi i qeverisë. Studentët kanë përsëritur se nuk bëhet fjalë për një protestë me kërkesa të kufizuara universitare, por për një revoltë që synon ndryshimin e gjendjes politike në vend.
“Erdhën studentët”, “Bashkohuni me ne!” dhe “Bojkoto mësimin!” kanë qenë thirrjet që kanë shoqëruar hyrjen e protestuesve në ambientet e Fakultetit të Ekonomikut.
Marshimi është pritur me duartrokitje nga studentët e pranishëm në fakultet, ndërsa korridoret janë mbushur me të rinj që kanë ndjekur nga afër thirrjet për bojkot të procesit mësimor dhe zgjerim të protestës.
Pas ndalesës në Ekonomik, studentët kanë vijuar marshimin në drejtim të Ministrisë së Arsimit, duke intensifikuar thirrjet kundër kryeministrit. Përgjatë lëvizjes së tyre, ata kanë kërkuar sërish dorëheqjen e Ramës dhe kanë kundërshtuar mundësinë e negociatave me qeverinë.
Studentët refuzojnë dialogun me Ramën: Dorëheqja mbetet kërkesa kryesore
Përplasja mes studentëve dhe qeverisë vijon të mbetet pa një shenjë afrimi. Prej disa ditësh, kryeministri Edi Rama u ka ofruar protestuesve mundësinë për të zhvilluar një dialog, por kjo nismë është refuzuar vazhdimisht nga të rinjtë.
Ata këmbëngulin se nuk kanë ndërmend të ulen në tryezën e bisedimeve të propozuar nga kryeministri, duke e konsideruar dorëheqjen e tij si kushtin kryesor dhe të panegociueshëm të revoltës.
Me hyrjen në ditën e 23-të, protesta studentore vijon të kërkojë zgjerimin e pjesëmarrjes dhe mobilizimin e universiteteve të tjera. Marshimi në Ekonomik dhe thirrjet për bojkot tregojnë se studentët po përpiqen ta çojnë revoltën përtej grupeve që kanë qenë në vijën e parë të protestave gjatë javëve të fundit.
Për momentin, mesazhi që përcjellin mbetet i njëjtë: nuk pranojnë dialog pa plotësimin e kërkesës për largimin e Edi Ramës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



