Studentët kanë vijuar edhe këtë të mërkurë protestën kundër qeverisë, duke marshuar në rrugët e Tiranës me një kërkesë të qartë: dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Të pajisur me pankarta dhe duke hedhur thirrje kundër qeverisë, të rinjtë janë nisur në drejtim të Ministrisë së Arsimit, duke shënuar kështu ditën e 23-të të protestës.
Gjatë marshimit, studentët u kanë bërë thirrje edhe bashkëmoshatarëve të tyre që t'u bashkohen në këtë lëvizje dhe të bojkotojnë mësimin, duke këmbëngulur se largimi i kryeministrit është kërkesa e tyre kryesore.
Nga ana tjetër, Edi Rama ka përsëritur ftesën për dialog, por studentët kanë refuzuar të ulen në tryezën e bisedimeve, duke e bërë të qartë se dorëheqja e tij është një kusht i panegociueshëm.
Protesta vijon prej më shumë se tri javësh në kryeqytet, ndërsa të rinjtë paralajmërojnë se nuk do të tërhiqen deri në përmbushjen e kërkesës së tyre.