Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është transferuar në ambientet spitalore të burgut të Fierit, për shkak të frakturës në këmbë, e cila kërkon ende trajtim mjekësor dhe kohë për rikuperim. Lajmi është bërë i ditur nga avokati i tij, Plarent Ndreca, pas një takimi që ka zhvilluar me Veliajn.
Përmes një reagimi publik, Ndreca ka ngritur shqetësimin për vonesën në kryerjen e ekzaminimit mjekësor, i cili, sipas tij, është kërkuar zyrtarisht prej afro dy javësh me qëllim vlerësimin e ecurisë së shërimit të frakturës.
Avokati deklaron se, pavarësisht kërkesave të paraqitura dhe udhëzimeve të mjekut që ndjek procesin e rikuperimit, ekzaminimi ende nuk është realizuar.
“Erioni është transferuar në ambientet spitalore të burgut të Fierit, për shkak të këmbës së thyer, e cila kërkon ende rikuperim dhe trajtim mjekësor. Ndërkohë, po bëhen gati dy javë që kemi kërkuar zyrtarisht kryerjen e ekzaminimit të nevojshëm për të vlerësuar ecurinë e konsolidimit të frakturës. Deri më sot, ky ekzaminim nuk është realizuar, pavarësisht kërkesave dhe udhëzimeve të mjekut që ndjek rikuperimin e tij”, deklaroi Ndreca.
Gjatë takimit, sipas avokatit, Veliaj i ka dorëzuar edhe disa faqe të shkëputura nga ditari i tij personal. Në to, kryebashkiaku ka dokumentuar përgjigjet që thotë se i ka komunikuar ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, lidhur me kërkesat që ky i fundit i ka përcjellë gjatë vizitës në qeli.
Ndreca paralajmëron se këto përgjigje do të bëhen publike, pa dhënë ende detaje mbi përmbajtjen e tyre.
“Erioni më dorëzoi disa faqe të shkëputura nga ditari i tij personal, ku ka shkruar përgjigjet që i ka komunikuar ministrit të Drejtësisë lidhur me kërkesat e bëra ndaj tij. Këto përgjigje do t’i bëjmë publike”, bëri të ditur avokati.
Çështja lidhet me vizitën që ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, zhvilloi pak ditë më parë në qelinë e Veliajt. Pas këtij takimi, kryebashkiaku publikoi një letër ku pretendonte se ministri i kishte përcjellë mesazhe në emër të kryeministrit Edi Rama, të lidhura me dorëzimin e pushtetit dhe kërkesa të tjera.