Shpërthimi në apartamentin e fqinjit i mori jetën, kjo është 82-vjeçarja që ndërroi jetë sot në Elbasan Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, ka dalë në një deklaratë për mediat lidhur me shpërthimin e fuqishëm në pallatin 5-katësh, që shkaktoi dëme të rënda strukturore dhe humbjen e jetës së një 83-vjeçareje.
Ndërkohë, sipas tij 10 persona janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe kontrolle, ndërsa vijojnë kërkimet për gjetjen e 69-vjeçarit që rezulton ende i pagjetur.
“Një shpërthim ka ndodhur në një pallat 5-katësh. Është vënë re një dëmtim i strukturës së pallatit. Kemi pasur një shembje të katit të 4-t, i cili ka rënë në katin e 3-të, si dhe të shkallëve lidhëse nga kati i 3-të në katin e 5-të.
Në momentin e shpërthimit ka pasur fillimisht një zjarr në katin e 3-të, i cili është përhapur. Kemi pasur, fatkeqësisht, një humbje jete, një grua 83-vjeçare, e cila ishte në katin e 5-të. Një 69-vjeçar akoma nuk është gjetur. Kemi pasur 10 persona që janë dërguar në spital për ndihmë dhe kontrolle mjekësore.
Njëri nga sektorët e pallatit është bërë i pabanueshëm dhe besojmë se do të jetë e pabanueshme një pjesë e pallatit, por i gjithë pallati paraqet probleme”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër drejtori i Policisë Elbasan, Kastriot Skënderaj, deklaroi se nga informacionet dyshohet se shpërthimi është shkaktuar nga një bombol gazi.
“Nisur nga situata e rëndë lidhur me ngjarjen, do t’ju bëj me dije se telefonata në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë në Elbasan ka ardhur rreth orës 14:40. Shërbimet e policisë, të cilat kanë qenë në afërsi të vendit të ngjarjes, kanë mbërritur dhe kanë konstatuar një zjarr në katin e tretë të pallatit ku ndodhemi aktualisht.
Kanë mbërritur shumë punonjës policie dhe ajo që ka qenë më e rëndësishme ka qenë dhënia e ndihmës qytetarëve dhe evakuimi i tyre. 10 persona janë asfiksuar dhe ndodhen në spital, ku u është dhënë ndihma mjekësore. Ata janë jashtë rrezikut për jetën. Një zonjë e moshuar, rreth 80 vjeçe, ka humbur jetën në spital, ndërsa një person tjetër, me të cilin kemi humbur kontaktet dhe që ende nuk është gjetur, ka qenë në katin e tretë të apartamentit ku ka rënë zjarri.
Shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm dhe, për momentin, nuk mund të japim një arsye për shkaqet e tij. Fillimisht, informacionet i kemi marrë për një bombol gazi, por tani do të duhet që shërbimet zjarrfikëse ta konfirmojnë këtë. Pas fikjes së zjarrit, edhe ne do ta kemi më të qartë situatën deri në përfundim të hetimit të këtij rasti”, deklaroi ai.
Top Channel