“Bratu dështoi në fazën përgatitore”, gazetari Baze: Lojtarët e Partizanit nuk ishin në gjendjen e duhur
Partizani ka rigjetur fitoren në kampionat pas një periudhe me rezultate negative, duke mposhtur Teutën në transfertë. I ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Kubi Sportiv” me Drilon Xhepollarin, gazetari sportiv Fatjon Baze analizoi javën e 10-të të Superiores, duke u ndalur veçanërisht te situata e të kuqve.
Sipas Bazes, suksesi ndaj Teutës është fryt i punës së trajnerit të ri, Karoglan, i cili ka ndryshuar ndjeshëm paraqitjen e skuadrës që prej marrjes së drejtimit të saj. Gazetari vlerësoi se Partizani e dominoi pjesën më të madhe të takimit, ndërsa theksoi se aspekti psikologjik ishte vendimtar për marrjen e tri pikëve.
“Fitorja e djeshme është fryt i punës së trajnerit të ri Karoglan, i cili që prej momentit që ka marrë drejtimin e Partizanit, ia ka ndryshuar tërësisht fytyrën kësaj skuadre. Niveli i lojës është rritur ndjeshëm për mirë”, u shpreh Baze.
Duke folur për krizën që ka kaluar Partizani, gazetari tha se problemet nuk kanë qenë vetëm te rezultatet negative, por edhe te përgatitja fizike e lojtarëve. Sipas tij, trajneri i mëparshëm, Bratu, nuk kishte zhvilluar një fazë përgatitore në nivelin e duhur, duke lënë mangësi në përgatitjen e skuadrës. Baze bëri të ditur se Karoglan ka mbetur i habitur nga gjendja fizike që ka gjetur ekipin dhe nga ngarkesa që lojtarët kishin marrë në stërvitje.
“Trajneri Bratu nuk ka kryer një fazë përgatitore shumë të mirë. Ka pasur mangësi të mëdha në përgatitjen e lojtarëve. Nga ajo që kam mësuar, kur drejtimin e Partizanit e ka marrë tekniku kroat, ai ka mbetur paksa i habitur nga gjendja që ka gjetur ekipin. Përveç rezultateve negative, ai ka mbetur i zhgënjyer edhe nga pjesa e stërvitjes dhe ngarkesa fizike që lojtarët kanë pasur. Kjo ka qenë pa diskutim një dështim i trajnerit të mëparshëm, i cili, përveç rezultateve, ka treguar joprofesionalizëm edhe në përgatitjen e lojtarëve”, deklaroi Baze.
Gazetari theksoi se Partizani duhet të vijojë ecurinë pozitive, ndërsa vlerësoi se skuadra do të tregojë një tjetër nivel pas ndërprerjes së kampionatit për shkak të ndeshjeve të kombëtares. Sipas tij, Karoglan ka paralajmëruar se ekipi i tij do të shihet më qartë pas kësaj periudhe.
“Trajneri Karoglan ka thënë publikisht se ekipi i tij do të shihet pas pauzës që do të ketë kampionati për shkak të ndeshjeve të kombëtares. Unë besoj se do të jetë një Partizan shumë i mirë”, u shpreh gazetari.
Sa i përket objektivave, Baze theksoi se Partizani duhet të synojë sigurimin e një vendi në Kupat e Europës, duke e cilësuar mosarritjen e këtij objektivi si një dështim të rëndësishëm për klubin.
Në analizën e javës së 10-të, gazetari veçoi Teutën dhe Egnatian si dy skuadrat që, sipas tij, do të rivalizojnë deri në fund për titullin kampion. Ai vlerësoi investimet dhe organikën e të dy ekipeve, ndërsa për Teutën theksoi se puna e trajnerit Edi Martini ka qenë pozitive pavarësisht rezultateve të fundit.
Baze u ndal edhe te Vllaznia, Dinamo, Elbasani dhe skuadrat e tjera të kampionatit, duke vlerësuar se gara mbetet e hapur dhe se ekipet, deri në këtë pikë të sezonit, kanë marrë rezultatet që kanë merituar në bazë të paraqitjeve në fushë.
Në fund, gazetari komentoi edhe ndeshjet e mbrëmjes në Champions League, duke veçuar përballjen mes Atletico Madridit dhe Bayern Munichut. Sipas tij, Paris Saint-Germain është skuadra që e ka bindur më shumë me paraqitjet e deritanishme në këtë edicion të kompeticionit.
Sa është premio për lojtarët e Egnatias? Gazetari sjell detajet nga Rumania para sfidës me Craiovën
Sota dëmtohet rëndë në sytë e trajnerit Maran, presidenti Fatos Troplini bën gjestin e rrallë
Nga derbi Tirana–Dinamo te gara për titull, Matraxhiu analizon Superioren: Egnatia mbetet pretendente
- 18:12 Presidentja Pula pranon Raportin e Progresit të Komisionit Evropian: Anëtarësimi në BE mbetet synim i Kosovës
- 17:59 Hakërohet sistemi i kontrollit të shërbimit kombëtar të gjakut në Francë, hakerat rritën temperaturat në magazina
- 17:49 Sa është premio për lojtarët e Egnatias? Gazetari sjell detajet nga Rumania para sfidës me Craiovën
- 17:46 Kurti takon gjeneralin amerikan Osborn, diskutohet për transformimin dhe modernizimin e FSK-së
- 17:31 Zgjedhjet në SHBA, Vance zbulon arsyen e humbjes: Shkak, lufta
- 17:17 Shpërthimi në apartamentin në Elbasan, vijojnë kërkimet për 69-vjeçarin e pagjetur! Policia jep detaje