Dr. Flamur Mushica: Teknologjia po ndryshon mjekësinë, por vendimi mbetet në duart e mjekut

Me një karrierë të ndërtuar mes Kosovës dhe Zvicrës, dr. Flamur Mushica flet për zhvillimet në radiologjinë bashkëkohore, inteligjencën artificiale, përgjegjësinë e mjekut në vendimmarrje dhe ndryshimet e nevojshme për ngritjen e cilësisë së radiologjisë në Kosovë
Nga Gjilani, ku nisi formimin mjekësor, rrugëtimi profesional i dr. Flamur Mushicës vazhdoi në Prishtinë, Tiranë, Mynih dhe Edirne. Në fund të vitit 2008, një trajnim njëmujor e çoi në Zvicër, ku më 1 qershor 2009 nisi punën në spitalin SRO Langenthal dhe vazhdon të ushtrojë profesionin e radiologut.
Krahas punës klinike si mjek i lartë, ai është angazhuar në veprimtari shkencore ndërkombëtare dhe ka përfaqësuar radiologët e Kosovës në strukturat shkencore të Kongresit Evropian të Radiologjisë. Lidhjen profesionale me vendin e ruan përmes angazhimit në Prishtinë, ku merr pjesë në procedura të avancuara radiologjike dhe ndan përvojën me kolegët vendas.
Për Telegrafin, dr. Mushica rrëfen si një trajnim njëmujor u kthye në një karrierë shumëvjeçare dhe sjell këndvështrimin e tij për zhvillimet që po ndryshojnë radiologjinë dhe përgjegjësinë që mbetet në duart e mjekut.
Nga trajnimi njëmujor te karriera shumëvjeçare në Zvicër
Dr. Mushica, në fund të vitit 2008 shkuat në Zvicër për një trajnim njëmujor, ndërsa në qershor të vitit 2009 filluat punën atje. A e kishit menduar atëherë se do të qëndronit kaq gjatë? Çfarë ndikoi më shumë në vendimin për ta vazhduar karrierën në Zvicër?
Në fund të vitit 2008 shkova në Zvicër për një trajnim njëmujor. Gjatë asaj kohe, ish-shefi i Klinikës së Radiologjisë në SRO Langenthal, Dr. Schafroth, më ofroi një vend pune. E pranova ofertën dhe fillova punën më 1 qershor 2009.
Fillimi ishte i vështirë, sidomos për shkak të gjuhës dhe mënyrës së ndryshme të organizimit të punës. Megjithatë, u përshtata shpejt dhe vazhdoj të punoj aty edhe sot. Ndërkohë, për njohjen e diplomës sime nga Prishtina, kam dhënë edhe provimin shtetëror të mjekësisë dhe provimin e specializimit në radiologji.
Mundësitë për të mësuar, për t’u zhvilluar profesionalisht dhe për ta zgjeruar përvojën time ndikuan në vazhdimin e karrierës në Zvicër. Gjatë këtyre viteve, njohuritë dhe përvoja ime në radiologji janë rritur vazhdimisht. Jam shumë mirënjohës për mundësinë që më është ofruar.
Më gëzon gjithashtu fakti se shumë kolegë nga Kosova, përmes punës dhe profesionalizmit të tyre, e kanë përfaqësuar me dinjitet Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës. Në këtë kuptim, kemi qenë edhe “ambasadorë” të mirë të vendit dhe të shkollimit tonë.
Edhe pas shumë vitesh në Zvicër, vazhdoni të jeni profesionalisht të angazhuar në Kosovë. Çfarë ju shtyn ta ruani këtë lidhje dhe çfarë ndieni kur punoni me kolegët në Prishtinë? A e shihni këtë angazhim si një mënyrë për t’ia kthyer vendit një pjesë të përvojës së fituar jashtë?
Lidhjen me Kosovën nuk e kam ndërprerë asnjëherë. Gjatë gjithë këtyre viteve jam përpjekur të jap kontributin tim, si në kujdesin e drejtpërdrejtë për pacientët, ashtu edhe në bashkëpunimin me kolegët e specialiteteve të ndryshme dhe me radiologët e rinj.
Për mua ka shumë vlerë që njohuritë dhe përvojën e fituar në Zvicër t’i ndaj me kolegët në Kosovë. Bashkëpunimi me ta më jep kënaqësi, sidomos kur përvoja ime mund të ndihmojë në punën e tyre dhe në kujdesin për pacientët.
Po, këtë angazhim e shoh edhe si një mënyrë për t’ia kthyer vendit një pjesë të asaj që kam fituar profesionalisht jashtë. Është diçka që e bëj çdo ditë me shumë dëshirë dhe kënaqësi.
Roli i radiologut në vendimet që përcaktojnë trajtimin
Sot, një imazh radiologjik mund të ndryshojë planin e trajtimit të një pacienti me kancer. Në përvojën tuaj në SRO Langenthal, sa peshë ka mendimi i radiologut në ekipin e specialistëve? Çfarë ndodh kur radiologu, kirurgu dhe onkologu nuk pajtohen dhe si arrihet një vendim i përbashkët që i shërben më së miri pacientit?
Radiologu është pjesë përbërëse e tumorboardit, pra e takimit ku specialistë të ndryshëm diskutojnë trajtimin e pacientit me kancer. Ne interpretojmë imazhet, i krahasojmë me ekzaminimet e mëparshme dhe vlerësojmë përhapjen e sëmundjes dhe përgjigjen ndaj terapisë. Kur nevojitet, propozojmë ekzaminime shtesë, planifikojmë dhe kryejmë biopsi. Në raste të përzgjedhura kryejmë edhe trajtime, si ablacioni me radiofrekuencë (RFA) ose me mikrovalë (MWA). Këto shkatërrojnë indin tumoral me nxehtësi dhe mund të kenë qëllim kurativ ose paliativ, pra shërues ose lehtësues.
Mospajtimet janë pjesë normale e punës profesionale. Secili shpjegon arsyetimin e vet dhe së bashku rishikojmë imazhet, rezultatin e biopsisë dhe gjendjen e pacientit. Nëse mbetet paqartësi, mund të kërkojmë një mendim të dytë ose një ekzaminim tjetër. Synojmë një rekomandim të përbashkët, i cili diskutohet me pacientin duke marrë parasysh edhe dëshirat e tij. Pesha e mendimit tonë qëndron te kontributi që jep për vendimin më të mirë për atë pacient.
Keni marrë pjesë në studimin e një tumori jashtëzakonisht të rrallë te një vajzë katërvjeçare, me simptoma që fillimisht sugjeronin një sëmundje neurologjike. Cila ishte vështirësia më e madhe për të arritur te diagnoza? Çfarë na mëson ky rast për sëmundjet që nuk shfaqen siç i presin mjekët dhe për domosdoshmërinë e bashkëpunimit mes specialistëve?
Po, kemi publikuar një raport rasti për një tumor neuroektodermal primitiv periferik, të përshkruar në atë punim si pPNET, te një fëmijë katërvjeçar. Kemi punuar së bashku me dr. Alije Keka-Sylajn, pediatre shumë të përkushtuar, dhe me kolegë të tjerë.
Vështirësia në raste të tilla është se simptomat mund ta drejtojnë fillimisht vëmendjen te një sëmundje tjetër. Kur ecuria nuk përputhet me diagnozën fillestare, duhet ta rishikojmë atë. Imazheria ndihmon të gjendet dhe të vlerësohet masa, ndërsa diagnoza përfundimtare e tumorit mbështetet në analizën e indit nga patologu dhe, sipas rastit, në analiza shtesë.
Ky rast tregon se edhe në Kosovë mund të diagnostikohen sëmundje shumë të rralla kur bashkohen njohuritë e specialistëve. Nuk do të thotë se diagnoza është e lehtë; do të thotë se puna ekipore na ndihmon t’i kapërcejmë vështirësitë dhe të mos mbetemi të lidhur me përshtypjen e parë.
Dhimbja e kokës dhe çrregullimet e shikimit mund të duken si migrenë, por ndonjëherë fshehin një problem shumë më serioz. Cilat shenja duhet të nxisin dyshimin për një diagnozë tjetër? Kur bëhet vendimtare rezonanca magnetike për të shmangur dëmtime të përhershme?
Dhimbja e kokës është shumë e shpeshtë dhe në shumicën e rasteve nuk lidhet me një sëmundje të rrezikshme. Megjithatë, kërkon vëmendje kur është e re, ndryshon nga dhimbjet e zakonshme, përkeqësohet me kohë ose shoqërohet me humbje të shikimit, të vjella të përsëritura, dobësi, çrregullime të të folurit apo kriza epileptike. Një dhimbje shumë e fortë që fillon papritur kërkon vlerësim urgjent.
MRI-ja, rezonanca magnetike, na jep pamje shumë të hollësishme të trurit dhe është veçanërisht e dobishme kur dyshojmë për tumor, inflamacion apo ndryshime përgjatë rrugëve të shikimit. Diagnostikimi në kohë mund të parandalojë vonesën e trajtimit dhe, në disa sëmundje, dëmtime të përhershme.
Por MRI nuk është gjithmonë ekzaminimi i parë. Në urgjencë, sidomos kur dyshohet gjakderdhje në tru, CT-ja shpesh është zgjedhja fillestare sepse bëhet shpejt. Zgjedhjen e udhëheqin simptomat dhe ekzaminimi neurologjik. Një CT normale nuk i përjashton të gjitha sëmundjet dhe, kur dyshimi mbetet, mund të nevojitet MRI.
Pas trajtimit të kancerit, një ndryshim në imazh mund të ngjallë frikën se sëmundja është rikthyer, por jo çdo ndryshim e tregon këtë. Si e dalloni përparimin e tumorit nga pasojat e vetë trajtimit? Sa ndikon interpretimi radiologjik në vendimin për terapinë?
Kjo është një nga sfidat e rëndësishme të radiologjisë onkologjike. Operacioni mund të lërë ind mbresor, radioterapia mund të shkaktojë inflamacion dhe fibrozë, ndërsa imunoterapia ndonjëherë mund të japë një zmadhim të përkohshëm të lezioneve, që quhet pseudoprogresion. Asnjë nga këto nuk duhet barazuar automatikisht me përparimin e kancerit.
Duhet të dimë çfarë trajtimi është bërë dhe kur, të krahasojmë me kujdes imazhet dhe t’i lidhim ato me gjendjen klinike e analizat laboratorike. Kur nuk jemi të sigurt, e shprehim qartë pasigurinë. Sipas rastit, propozojmë kontroll pas një kohe të shkurtër, ekzaminim tjetër ose biopsi. Një interpretim i kujdesshëm mund të shmangë ndërprerjen e parakohshme të një terapie që funksionon, por edhe vazhdimin e një trajtimi që nuk po jep rezultat.
Në punën time në Zvicër, këto raste diskutohen rregullisht me onkologët dhe specialistët e tjerë. Do të dëshiroja që kjo mënyrë pune të forcohej edhe më shumë në Kosovë. Para disa vitesh, së bashku me dr. Fisnik Kurshumliun, profesor i patologjisë në Prishtinë, kemi themeluar platformën online MedConnect për diskutimin e rasteve të vështira. I ftoj kolegët të propozojnë raste, duke respektuar konfidencialitetin e pacientit, që të organizojmë diskutime me specialistët përkatës. Jam i gatshëm të kontribuoj, ashtu si shumë kolegë të tjerë të përkushtuar.

Kur ekzaminimet e avancuara nuk sjellin domosdoshmërisht më shumë siguri
Sa më të fuqishme bëhen aparaturat, aq më shumë zbulojnë ndryshime që mund të mos kenë rëndësi për shëndetin. Kujt mund t’i shërbejë vërtet MRI e gjithë trupit dhe kur rrezikojmë të krijojmë shqetësim e trajtime të panevojshme?
Në Kosovë kemi aparatura të avancuara, në sektorin publik dhe privat. Megjithatë, vlera e ekzaminimit varet nga pyetja mjekësore që kërkojmë t’i përgjigjemi.
MRI-ja e gjithë trupit, ose Whole Body MRI, është shumë e dobishme në indikacione të caktuara, për shembull te mieloma multiple, në vlerësimin e përhapjes së disa tumoreve dhe te persona me disa sindroma të trashëguara që japin rrezik të lartë për kancer. Mund të përdoret edhe në sëmundje të përzgjedhura inflamatore. Nuk është ekzaminimi më i përshtatshëm për çdo pacient onkologjik apo për çdo organ.
Te një person pa simptoma dhe pa rrezik të veçantë, nuk ka prova të mjaftueshme për ta rekomanduar si kontroll rutinë. Mund të zbulojë ciste, nyje apo ndryshime të padëmshme që nxisin ankth, ekzaminime të tjera dhe ndonjëherë biopsi të panevojshme. Edhe pse MRI-ja nuk përdor rrezatim jonizues, kjo nuk e bën automatikisht të dobishëm çdo ekzaminim. Duhet ta bëjmë kur ka arsye mjekësore dhe kur rezultati mund të ndryshojë kujdesin për pacientin.
Shumë pacientë shqetësohen kur u kërkohet të bëjnë disa CT, për shkak të rrezatimit. Si vendoset kur ekzaminimi është vërtet i nevojshëm dhe si sigurohet doza më e ulët e mundshme pa humbur saktësinë? Sa ndikojnë teknologjia, protokollet dhe përgatitja e teknikëve?
Hapi i parë është të kemi një indikacion të qartë: çfarë duam të dimë dhe a do ta ndryshojë rezultati trajtimin? Kur CT-ja është e nevojshme, përfitimi nga diagnoza e saktë zakonisht e tejkalon rrezikun e vogël nga rrezatimi. Nëse ultrazëri ose MRI e japin informacionin e nevojshëm me të njëjtën besueshmëri, mund t’i zgjedhim ato.
Pastaj ekzaminimin ia përshtatim pacientit dhe pyetjes klinike. Në shumë kontrolle onkologjike mjafton një fazë pas dhënies së kontrastit. Fazat shtesë duhen bërë vetëm kur japin informacion të nevojshëm; për disa tumore ose probleme vaskulare ato janë të rëndësishme. Nuk ka një protokoll të vetëm për të gjithë.
Aparaturat moderne, kufizimi i zonës së skanimit dhe parametrat e përshtatur sipas trupit ndihmojnë në uljen e dozës. Po aq të rëndësishëm janë teknikët e trajnuar, bashkëpunimi me fizikantin mjekësor dhe kontrolli i rregullt i dozave. Synojmë dozën më të ulët që jep imazh të mjaftueshëm për diagnozë.
Na ndihmon shumë kur mjeku referues shkruan simptomat, dyshimin klinik dhe historinë e pacientit. Një kërkesë ku thuhet vetëm “CT me kontrast” nuk na jep informacionin e nevojshëm. Përzgjedhja e ekzaminimit dhe shpjegimi për pacientin janë përgjegjësi të përbashkëta të ekipit mjekësor.
Biopsia e gjirit nën udhëheqjen e ultrazërit është një metodë e rëndësishme për diagnostikimin e ndryshimeve të dyshimta. Bazuar në përvojën tuaj klinike, çfarë përparësish ofron kjo procedurë për pacientet? Si siguroheni që gjetjet radiologjike, rezultati i biopsisë dhe gjendja klinike të përputhen, veçanërisht kur ekziston dyshimi për një tumor malinj?
Biopsia nën udhëheqjen e imazherisë na lejon të marrim mostra indi me një gjilpërë të posaçme, zakonisht me anestezi lokale dhe pa operacion të hapur. Kur ndryshimi shihet në ultrazë, e drejtojmë gjilpërën në kohë reale. Kur shihet më mirë në mamografi ose MRI, përdorim atë metodë. Procedura zakonisht bëhet në kushte ambulatore dhe rikuperimi është i shpejtë.
Puna nuk përfundon me marrjen e mostrës. Rezultatin e patologut duhet ta krahasojmë me pamjen radiologjike dhe gjetjet klinike. Kjo quhet përputhshmëri radiologjike dhe patologjike. Nëse imazhi është shumë i dyshimtë, por biopsia del beninje dhe nuk e shpjegon ndryshimin, nuk mjaftohemi me atë përgjigje. Rasti rishikohet dhe mund të nevojitet biopsi e përsëritur ose heqje kirurgjikale. Kështu zvogëlojmë rrezikun e një diagnoze të humbur dhe të ndërhyrjeve të panevojshme.
Radiologjia intervenuese: Trajtimet përmes gjilpërave dhe kateterëve
Dikur shumë ndërhyrje kërkonin operacion të hapur; sot disa trajtime kryhen përmes gjilpërave ose kateterëve. Cilat janë mundësitë kryesore të radiologjisë intervenuese? Kur mund të zëvendësojë kirurgjinë dhe kur e plotëson atë?
Radiologjia intervenuese përdor ultrazërin, CT ose metoda të tjera imazherike për ta drejtuar trajtimin me saktësi. Përmes një shpimi të vogël mund të marrim biopsi, të drenojmë abscese, të hapim enë të ngushtuara dhe të ndalim gjakderdhje. Në raste të përzgjedhura, edhe aneurizmat e trurit trajtohen me kateter nga ekipe të specializuara.
Për disa tumore primare ose metastaza përdorim ablacionin: shkatërrimin e indit tumoral me radiofrekuencë, mikrovalë, laser ose ngrirje, që quhet krioablacion. Një metodë tjetër është embolizimi, me të cilin bllokojmë enë të caktuara të gjakut. Para disa operacioneve të tumoreve me furnizim të madh me gjak, kjo mund të ulë gjakderdhjen dhe ta lehtësojë ndërhyrjen.
Në disa raste këto procedura mund ta zëvendësojnë operacionin, por kjo varet nga lloji, madhësia dhe vendndodhja e sëmundjes dhe nga gjendja e pacientit. Në raste të tjera janë plotësuese të kirurgjisë. Vendimin e marrim së bashku me specialistët përkatës, duke peshuar përfitimet dhe rreziqet.
Edhe një tumor beninj i kockës mund të shkaktojë dhimbje të forta. Cilat tumore mund të trajtohen përmes një gjilpëre, me nxehtësi të kontrolluar dhe nën udhëheqjen e CT? Çfarë e bën këtë qasje të dobishme dhe kur kirurgjia mbetet zgjedhja më e mirë?
Shembulli më i njohur është osteoma osteoide, një tumor beninj i kockës që shfaqet kryesisht te fëmijët dhe të rinjtë. Qendra aktive e tij, që quhet nidus, shpesh është më e vogël se një centimetër. Megjithëse i vogël, mund të shkaktojë dhimbje të forta, veçanërisht natën. Diagnoza ndonjëherë vonohet sepse simptomat ngatërrohen me probleme të tjera.
Në Prishtinë kemi filluar trajtimin së bashku me ortopedin dr. Qerim Kida dhe përvoja jonë deri tani ka qenë shumë e mirë. Nën udhëheqjen e CT vendosim me saktësi gjilpërën në nidus. Përmes saj kalojmë një fibër laseri, e cila e shkatërron qendrën aktive me nxehtësi të kontrolluar. Ngrohja zgjat disa minuta; koha e gjithë procedurës është më e gjatë. Për këtë tumor përdoret gjerësisht edhe ablacioni me radiofrekuencë.
Përparësitë janë dëmtimi i vogël i indeve dhe rikuperimi zakonisht i shpejtë. Megjithatë, duhet të mbrojmë nervat, lëkurën dhe strukturat përreth. Kirurgjia mund të jetë më e përshtatshme kur diagnoza mbetet e paqartë, kur vendndodhja nuk lejon ablacion të sigurt ose kur nevojitet edhe stabilizim i kockës. Trajtimi në vend u lehtëson pacientëve qasjen dhe shmang nevojën e udhëtimit jashtë vendit në rastet që mund t’i trajtojmë këtu.

Te disa pacientë me dhimbje të shtyllës kurrizore ose fraktura vertebrale, infiltrimi periradikular dhe kifoplastika mund të ofrojnë lehtësim. Si dalloni pacientët që përfitojnë nga ata që kanë nevojë për trajtim tjetër? Çfarë rrezikohet kur vendimi merret vetëm nga imazhi?
Këtu duhet t’i dallojmë dy probleme. Infiltrimi periradikular bëhet pranë rrënjës nervore dhe mund të ndihmojë disa pacientë me dhimbje që përhapet në këmbë, e njohur si ishias. Infiltrimet e nyjeve fasetale synojnë një burim tjetër dhimbjeje, nyjet e vogla mes rruazave. Në të dyja rastet duhet të ketë përputhje mes simptomave, ekzaminimit klinik dhe imazhit.
Vertebroplastika dhe kifoplastika përdoren për disa fraktura të dhimbshme të rruazave, shpesh nga osteoporoza dhe, në raste të përzgjedhura, nga tumoret ose trauma. Me çimento mjekësore stabilizohet rruaza; te kifoplastika zakonisht krijohet fillimisht hapësirë me një balonë. Nuk trajtohet çdo frakturë. Vlerësojmë sa e freskët dhe e dhimbshme është, çfarë tregon MRI dhe nëse trajtimi konservativ ka qenë i mjaftueshëm. Infeksioni, çrregullimet e koagulimit dhe disa forma të paqëndrueshmërisë mund ta ndryshojnë ose ta përjashtojnë këtë zgjedhje.
Ndryshime degjenerative në MRI kanë edhe njerëzit pa dhimbje. Nëse trajtojmë vetëm imazhin, mund të ndërhyjmë në vendin e gabuar dhe të mos e ndihmojmë pacientin. Dobësia që përparon, çrregullimet e urinimit apo mpirja në zonën perineale kërkojnë vlerësim urgjent për kompresion nervor; nuk duhet të vonohen me një infiltrim rutinë.
Inteligjenca artificiale ndihmon, por radiologu verifikon vendimin
Inteligjenca artificiale mund të dallojë ndryshime në imazhe. Por a është po aq e aftë të kuptojë historinë dhe gjendjen e plotë të pacientit? Çfarë ndryshon në punën tuaj dhe si zgjidhet një mospërputhje mes algoritmit dhe radiologut?
Inteligjencën artificiale (AI) e shoh si një mjet shumë të dobishëm. Shpesh e krahasoj me një specializant të zellshëm që na ndihmon, por puna e të cilit duhet kontrolluar. Ajo mund të ndihmojë në matje, krahasimin e ekzaminimeve, dallimin e disa ndryshimeve dhe përgatitjen e raporteve më të strukturuara. Këto janë përdorime që mund të na kursejnë kohë për punën me raste më të ndërlikuara.
Megjithatë, një algoritëm nuk e kupton domosdoshmërisht gjithë historinë e pacientit. Mund të japë alarm të gabuar ose të mos e dallojë një ndryshim. Rezultatet varen edhe nga të dhënat me të cilat është zhvilluar dhe nga mënyra si përdoret.
Kur AI dhe radiologu nuk pajtohen, rishikojmë imazhet, cilësinë e ekzaminimit dhe të dhënat klinike. Nëse duhet, kërkojmë mendimin e një kolegu ose ekzaminim shtesë. Nuk pranojmë automatikisht as përgjigjen e algoritmit, as përshtypjen e parë të mjekut. Raporti përfundimtar duhet të jetë i arsyetuar dhe i verifikuar nga radiologu. Kolegëve të rinj do t’u thosha ta mësojnë këtë teknologji dhe ta përdorin me gjykim profesional.
Radiomika dhe radiogjenomika synojnë të zbulojnë nga imazhet të dhëna për biologjinë e tumorit. Sa afër jemi parashikimit të trajtimit më të përshtatshëm për secilin pacient? Çfarë duhet të vërtetojë ende shkenca?
Radiomika nxjerr nga imazhet shumë të dhëna numerike, për shembull për formën dhe strukturën e tumorit, që syri nuk i dallon lehtë. Radiogjenomika studion lidhjen e këtyre tipareve me ndryshimet gjenetike të tumorit.
Një nga sfidat është heterogjeniteti: qelizat e të njëjtit tumor dhe metastazat e tij mund të kenë tipare biologjike të ndryshme. Kjo mund të kontribuojë në një përgjigje të përzier ndaj terapisë, ku një lezion zvogëlohet dhe një tjetër rritet. Synimi është që imazheria të na ndihmojë ta kuptojmë dhe ta parashikojmë më mirë këtë sjellje.
Këto metoda janë premtuese, por për shumë përdorime mbeten kryesisht në kërkim shkencor. Duhet të tregojnë se japin rezultate të qëndrueshme në aparatura dhe spitale të ndryshme, se funksionojnë te pacientë të tjerë nga ata ku janë zhvilluar dhe se përmirësojnë realisht vendimet e trajtimit. Ende nuk mund të themi se nga një imazh i vetëm zgjedhim me siguri terapinë më të mirë. Biopsia dhe analizat molekulare vazhdojnë të kenë rol qendror.

Radiologjia në Kosovë: Cilësia kërkon më shumë se aparatura moderne
Keni trajnuar profesionistë në Kosovë dhe keni marrë pjesë në organizime shkencore evropiane. Duke krahasuar Zvicrën me Kosovën, çfarë na mungon më shumë: pajisjet, përgatitja praktike apo kontrolli i cilësisë? Nëse do të ndryshonit vetëm tri gjëra, cilat do të ishin?
Në shumë qendra në Kosovë kemi pajisje të të njëjtëve prodhues që përdoren edhe në Zvicër. Kjo është një bazë e mirë, por cilësinë nuk e përcakton vetëm aparatura. Rëndësi kanë mënyra e përdorimit, përgatitja e stafit dhe organizimi i punës.
Jam larguar prej shumë vitesh nga QKUK-ja dhe nuk dua të jap një gjykim të prerë për organizimin e sotëm atje. Nga bashkëpunimet e mia njoh kolegë shumë të zotë. Në Royal Imaging Center kam kënaqësinë të punoj me tre mjekë të përkushtuar: dy i kanë përfunduar specializimet në Kosovë dhe i treti është ende në specializim.
Po të zgjidhja tri përparësi, e para do të ishte një program i strukturuar specializimi, me mentor të caktuar, objektiva të qarta dhe interpretim të ekzaminimeve nën mbikëqyrje. E dyta do të ishte kontrolli i rregullt i cilësisë: rishikimi i raporteve, diskutimi i gabimeve për të mësuar prej tyre dhe kontrolli i protokolleve e dozave të rrezatimit. E treta do të ishte forcimi i bashkëpunimit mes specialistëve, përmes tumorboardeve dhe takimeve të rregullta për rastet e vështira.
Në përvojën time në Zvicër, vlerë të madhe ka mbikëqyrja e organizuar dhe përgjegjësia e qartë e secilit. Përparimi matet me aftësitë që fiton mjeku dhe me kujdesin që merr pacienti.
Puna me pacientë me kancer sjell edhe ngarkesë emocionale. A ka raste që ju mbeten gjatë në kujtesë dhe çfarë ju jep forcë të vazhdoni?
Po, shumë raste na mbeten gjatë në kujtesë. Ne jemi mjekë, por jemi edhe njerëz. Kur e ndjekim një pacient për një kohë të gjatë, shpesh krijojmë afërsi edhe me familjarët që bëjnë gjithçka për ta ndihmuar.
Personalisht përpiqem të jem i qasshëm, të shpjegoj qartë atë që dimë dhe atë që mbetet e pasigurt dhe të jap maksimumin tim profesional. Për fat të keq, disa sëmundje nuk arrijmë t’i shërojmë dhe humbja e një pacienti është e dhimbshme edhe për ne. Edhe atëherë kemi detyrë t’i ofrojmë kujdes, lehtësim dhe mbështetje.
Më prek kur familjarët, edhe në dhimbjen e tyre, gjejnë forcë të falënderojnë ekipin për ndihmën. Besimi i tyre na jep forcë të vazhdojmë. Më motivon edhe mundësia për t’ua përcjellë dijen e përvojën kolegëve më të rinj, me shpresën që përparimi i mjekësisë t’u japë gjithnjë e më shumë pacientëve mundësi për shërim ose jetë më të gjatë e më të mirë. /Telegrafi/









































