Kryedemokrati Berisha akuzoi kryeministrin Rama dhe Xhorxh Sorosin se donin të caktonin opozitë tjetër në Shqipëri në vend të PD-së përmes kapjes së protestës së flamingove.
Në takimin me sekretarët e degëve të PD-së, ai tha se organizatat sorosiane ishin në krye të kapjes së protestave.
“Kishte mjaft, jo pak, që shtronin pyetjen, pse të shkojmë ne atje, ku hedhin parrulla. Ne ishim shumë të hapur, shumë të ndershëm, ne u thamë mbështetësve dhe simpatizantëve dhe anëtarëve tanë, ne shkojmë atje, ata që hedhin parrullat janë armiqtë tanë. Por duke konsideruar të keqen më të madhe Edi Ramën, atëherë ne përshtasim parimin e njohur që nga kohët e lashta, armiku i armikut tim, është aleati im. Në fakt, në fakt ata që kishin atë mision, ata vazhduan.
Gjersa Edi Rama bëri një marrëveshje siç e deklaroi, që unë me flamingot jam në rregull dhe ata të tjerë që protestojnë ata janë sorra, çafka, hajdutë e me radhë. Pra, ishte një kohë, ishte një zhvillim i panjohur më parë për forcën tonë politike. Sepse promotori i të gjitha protestave nga vitet ’90 e pothuaj të gjithave nuk them të gjithave, e lindur në protestë, nëna e protestave, tani u gjet përballë një gjiganti popullor dhe u rreshtua pas simboleve të saj, në këtë gjigant. I gjithë synimi ishte krijimi i një opozite tjetër. I një opozite, siç e do Edi Rama me patronin e tij, George Soros. Pyesin shumë, kush ishte mbrapa? Kush organizonte? Po ju e keni parë. Ata kanë emër mbi emër, ishin organizatat sorosiane në krye.Ishin ato, të cilat, të cilat, hoqën maskat nga organizatat e shoqërisë civile, u shndërruan në qeliza politike të ekstremit të majtë dhe kërkonin të likuidonin opozitën.”