Meta Platforms Inc. ka siguruar 9 miliardë euro përmes emetimit të parë të obligacioneve të saj në euro, një ofertë që tërhoqi porosi rekord në vlerën e 53 miliardë eurove — shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë për një emetim korporativ në Evropë.
Kjo kërkesë e jashtëzakonshme erdhi pasi kompania ofroi interesa mjaft të favorshme, të cilave edhe investitorët skeptikë ndaj bumit të inteligjencës artificiale (AI) e patën të vështirë t’u rezistonin, shkruan Bloomberg.
Sipas të dhënave të përmbledhura nga Bloomberg, porositë për këtë emetim tejkaluan kërkesën prej më shumë se 31 miliardë eurosh që Anheuser-Busch InBev NV mori për një emetim obligacionesh në vitin 2016.
Pas shitjes së obligacioneve në dollarë amerikanë me vlerë 15 miliardë dollarë të martën, oferta e kompanisë mëmë të Facebook-ut në euro mund të përmbyllë një nga periudhat më intensive të financimit përmes borxhit në historinë e kompanive të mëdha të teknologjisë. Që nga fundi i javës së kaluar, Meta, Microsoft Corp., Oracle Corp. dhe Alphabet Inc. kanë dalë në tregjet financiare për të siguruar gjithsej afro 67 miliardë dollarë.
Sipas një personi të njohur me çështjen, Meta e përcaktoi çmimin e emetimit prej 9 miliardë eurosh (10,1 miliardë dollarë), të ndarë në gjashtë pjesë me afate maturimi që varionin nga pak më shumë se katër vjet deri në mbi 38 vjet. Në të gjitha afatet e maturimit, Meta pagoi një prim rreziku rreth 1,4 herë më të lartë se ai që Alphabet ofroi për obligacione të ngjashme në euro, të emetuara gjatë kësaj jave.
“Normat e ofruara janë shumë të favorshme për nivelin e vlerësimit të kreditit dhe, për këtë arsye, është e vështirë të mos përfshihesh në këtë ofertë. Megjithatë, në të njëjtën kohë, mbetemi të kujdesshëm për shkak të nevojave për financim që kompania do të ketë vitin e ardhshëm”, tha Alex Temple, menaxher global i portofolit të investimeve me të ardhura fikse në Allspring Global Investments.
Diferencat e interesit të obligacioneve të Meta-s
Normat përfundimtare të interesit u ulën me pesë pikë bazë të tjera në të gjitha pjesët e emetimit, pasi fillimisht ishin përcaktuar në një nivel më të lartë — një veprim i pazakontë në tregun primar të obligacioneve, i ndërmarrë përballë porosive rekord. Megjithatë, diferencat e interesit mbetën më të larta në të gjitha kategoritë e obligacioneve të Meta-s, krahasuar me ato të kompanive të tjera gjigante të teknologjisë që kanë emetuar borxh në euro.
Obligacioni i Meta-s me afat maturimi 6,26 vjet do të ofrojë një interes prej 135 pikësh bazë mbi normën e referencës mid-swap. Ndërkohë, Alphabet përcaktoi të hënën interesin e një obligacioni gjashtëvjeçar në nivelin 90 pikë bazë. Diferenca është edhe më e madhe në segmentin e obligacioneve me afat të gjatë maturimi. Edhe në krahasim me ofertën e saj në dollarë, Meta pagoi rreth 15 deri në 20 pikë bazë më shumë për obligacionet me afat të shkurtër dhe të mesëm, ndërsa për ato me afat më të gjatë diferenca iu afrua 100 pikëve bazë.
Ky ishte emetimi i parë i obligacioneve të Meta-s jashtë tregut të saj vendas. Për ofertën në dollarë të së martës, investitorët paraqitën kërkesa për blerje deri në 58 miliardë dollarë. Transaksioni i obligacioneve në euro u menaxhua nga Citigroup Inc. dhe Morgan Stanley.
Kompanitë e teknologjisë, të cilat kishin ndërprerë përkohësisht emetimin e obligacioneve me vlerësim të lartë krediti në tregun amerikan, janë rikthyer pikërisht në një kohë kur investitorët po bëhen gjithnjë e më të kujdesshëm ndaj shpenzimeve të tyre për qendrat e të dhënave, çipat dhe infrastrukturën tjetër të nevojshme për funksionimin e inteligjencës artificiale.
Microsoft e theu këtë periudhë qetësie me një emetim obligacionesh prej 25 miliardë dollarësh javën e kaluar, i ndjekur nga një emetim prej 10 miliardë dollarësh nga Oracle.