Një grup protestuesish janë mbledhur këtë mbrëmje pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku kërkojnë shpjegime për shoqërimin e Dritan Goxhajt dhe Edison Likës nga efektivët.
Mes tyre ndodhet edhe aktivisti Arben Kola, i cili ka akuzuar Policinë për ushtrim presioni, shantazh dhe shoqërime të paligjshme ndaj qytetarëve, veçanërisht të rinjve dhe aktivistëve.
Në një prononcim për News24, Kola deklaroi se gjatë dy ditëve të fundit janë regjistruar, sipas tij, raste të presionit dhe kërcënimeve në zonën e Piramidës, te dy kullat dhe pranë një lokali.
“E para, siç e keni vënë re, këto dy ditë po ushtrohet presion, shantazh, gjoba, shoqërime të paligjshme nga ana e policisë, në veçanti te pjesa e Piramidës, dy kullave dhe te pjesa ku ndodhet edhe një bar, ku policë civilë dhe banditë, se ne nuk e dimë, jetojmë në një kohë narkoshteti, shkojnë dhe shantazhojnë qytetarë të ndryshëm, mosha të reja, aktivistët, të rinjtë, studentët”, tha ai.
Aktivisti u ndal edhe te shoqërimi i Dritan Goxhajt dhe Edison Likës, duke theksuar se ata janë arrestuar në mënyrë brutale, ndërsa po i tregonin Policisë njoftimin për zhvillimin e një proteste paqësore.
“Që prej 31 majit, ne kemi dërguar njoftimin, siç bazohet në ligj, për protestë paqësore. Dhe duke qenë se Dritan Goxhaj dhe Edison Lika po i tregonin policisë që e kishin këtë kërkesë, ata i arrestuan në mënyrën më brutale”, u shpreh Kola.












