Gazetari Osman Stafa ka deklaruar se studentët që prej 23 ditësh vijojnë protestën kanë nisur të organizohen politikisht, megjithëse ende nuk dihet se çfarë forme do të marrë kjo nismë.
I ftuar në emisionin “Off the Record”, nga Andrea Danglli në A2 CNN, Stafa tha se nuk është e qartë nëse të rinjtë synojnë krijimin e një partie të re politike apo ngritjen e një lëvizjeje të pavarur.
Ai theksoi se ka mbetur i surprizuar nga angazhimi dhe niveli i diskutimeve të studentëve dhe gjimnazistëve, të cilët sipas tij po tregojnë njohuri dhe interes për zhvillimet politike në vend.
“Studentët po organizohen. Këtë e kam informacion, që studentët janë duke u organizuar. S’e di çfarë do jetë, por ka një vullnet të jashtëzakonshëm nga të rinjtë, që deri tani janë konsideruar që nuk kanë lidhje me realitetin, që janë individë që nuk marrin vesh nga asgjë, por unë kam mbetur i habitur me diskutimet që kanë bërë edhe gjimnazistët. Dinin çdo gjë”, u shpreh gazetari.













