Gazetarja telefonon presidentin pas humbjes në zgjedhjet e mesmandatit, Trump: Do të bashkëpunojmë me demokratët
Presidenti amerikan Donald Trump ka surprizuar me një telefonatë të papritur gazetaren e Politico-s, Dasha Burns, teksa ajo ishte në transmetim të drejtpërdrejtë, mbrëmjen e së martës (3 nëntor), pas humbjes së republikanëve në zgjedhjet e mesit të mandatit.
Reagimi i tij tërhoqi vëmendjen, pasi u shfaq i qetë dhe me një ton pajtues, duke deklaruar se ishte i gatshëm të bashkëpunonte me demokratët, pavarësisht rezultatit zgjedhor.
Burns e telefonoi Trumpin gjatë emisionit “Politico Elections Live”. Presidenti iu përgjigj telefonatës, ndërsa gazetarja e informoi se ishte në transmetim të drejtpërdrejtë së bashku me kolegët e saj.
I pyetur se çfarë shkoi keq për partinë e tij, Trump u përgjigj: “Unë nuk isha kandidat dhe nuk arritëm t’i mobilizonim votuesit. Nëse do të isha në fletën e votimit, do të kishim fituar. Do t’i kishim fituar të gjitha shumë lehtë”.
Gazetarja i kujtoi se ai vetë u kishte bërë thirrje votuesve të paraqiteshin në qendrat e votimit sikur emri i tij të ishte në fletën e votimit.
Trump pranoi se kishte bërë një thirrje të tillë, por argumentoi se votuesit nuk i pëlqenin disa prej kandidatëve republikanë.
Surpriza më e madhe erdhi kur Trump u pyet për mundësinë e bashkëpunimit me Kongresin e ri, tashmë nën kontrollin e demokratëve.
“Do të bashkëpunojmë me demokratët që gjërat të shkojnë mirë në vendin tonë. Nuk dua thjesht të qëndroj aty për dy vite dhe të vë veto për gjithçka”, deklaroi presidenti amerikan.
Ai zbuloi gjithashtu se kishte kontaktuar tashmë disa përfaqësues të Partisë Demokratike.
I pyetur nëse do të shqyrtonte mundësinë e një marrëveshjeje për çështjen e emigracionit, Trump u përgjigj se do të merrte në konsideratë çdo propozim që do ta vlerësonte të përshtatshëm dhe të dobishëm për vendin.
Ndërkohë, presidenti amerikan shmangu identifikimin e përgjegjësve për humbjen zgjedhore dhe këmbënguli se vendimi i tij për ndërhyrjen ushtarake ndaj Iranit kishte qenë i drejtë.




