Stavro Pilo tund rrjetën e Real Madridit, i shënon Courtois gol “për shalësh”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 04.11.2026, 22:48

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Stavro Pilo, ka realizuar një gol fantastik ndaj Real Madridit në Champions League, duke i kaluar topin mes këmbëve portierit Thibaut Courtois dhe duke i dhënë përkohësisht avantazhin AEK-ut të Athinës.

Goli erdhi në minutën e 75-të të takimit, kur skuadra greke organizoi një kundërsulm të shpejtë. Aboubakary Koïta shërbeu bukur brenda zonës për shqiptarin, i cili nuk hezitoi dhe me të majtën goditi saktë drejt portës. Topi kaloi mes këmbëve të Courtois-it dhe përfundoi në rrjetë, duke shkaktuar festë në stadiumin Allwyn Arena të Athinës. Një finalizim me shumë qetësi dhe saktësi përballë një prej portierëve më të mirë në botë.

Për Pilon ky është një tjetër moment i madh në Champions League, pasi mbrojtësi kuqezi kishte shënuar edhe në përballjen ndaj Manchester Cityt në Etihad Stadium. Edhe këtë herë, ai arrin të lërë gjurmën e tij ndaj një tjetër gjiganti të futbollit europian.

Sa i përket ndeshjes, AEK-u kaloi fillimisht në avantazh në minutën e 12-të me Aboubakary Koïta, ndërsa Jude Bellingham barazoi për Real Madridin në minutën e 32-të. Pas golit të Pilos, madrilenët reaguan shpejt dhe Kylian Mbappé riktheu baraspeshën në minutën e 78-të.

Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, Federico Valverde shënoi golin e fitores për Real Madridin në minutën e 92-të, me një goditje spektakolare nga distanca, duke vulosur rezultatin 3-2.

Pavarësisht humbjes së AEK-ut, mbrëmja do të mbahet mend për golin e bukur të Stavro Pilos, i cili arriti të mposhtë Courtois-in me një finalizim që nuk ndodh çdo ditë në skenën e Champions League.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit