Thursday / November 5 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Energji Lajmet Kryesore Nga Vendi

Raporti: Shqipëria me taksë karboni zero në BE, çmimi i energjisë arrin 142 euro/MWh

Share Share Icon

Shqipëria rezultoi me kosto orientuese zero nga Mekanizmi i Rregullimit të Karbonit në Kufij (CBAM) për energjinë elektrike të eksportuar drejt Bashkimit Europian, ndërsa vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor rezultuan me kosto orientuese që arritën deri në 94,5 euro për megavatorë (MWh).

Ndërkohë, çmimet e energjisë në bursën vendase u rritën ndjeshëm gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, duke arritur mesatarisht në 142 euro/MWh, nga 88,6 euro/MWh në tremujorin e mëparshëm.

Sipas raportit të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, “CBAM Quarterly Report 2026/3”, të publikuar më 30 tetor 2026, vlera standarde e emetimeve të karbonit për energjinë elektrike të importuar nga Shqipëria në BE është zero, çka rezulton në një kosto orientuese zero nga CBAM për tremujorët e dytë dhe të tretë të vitit.

Në krahasim, kostoja orientuese për tremujorin e tretë arrin në 94,5 euro/MWh për Bosnjë-Hercegovinën, 85,7 euro/MWh për Serbinë, 81 euro/MWh për Kosovën, 80,6 euro/MWh për Malin e Zi dhe 73 euro/MWh për Maqedoninë e Veriut.

Përllogaritjet bazohen në vlerat standarde të emetimeve dhe çmimin e certifikatës CBAM, i cili për tremujorin e tretë ishte 82,32 euro për ton ekuivalent COâ‚‚, 9,4% më i lartë se në tremujorin e mëparshëm. Raporti sqaron se këto janë kosto orientuese dhe se përdorimi i emetimeve reale në vend të vlerave standarde lejohet vetëm sipas kushteve të përcaktuara në rregulloren europiane.

Pavarësisht këtij pozicioni në përllogaritjet e CBAM, tregu shqiptar regjistroi një nga rritjet më të mëdha të çmimeve të energjisë në rajon. Çmimi mesatar i tregut të një dite përpara u rrit me 53,4 euro/MWh krahasuar me tremujorin e dytë. Megjithatë, ai mbeti më i ulët se çmimi mesatar i Italisë, prej 180,8 euro/MWh, dhe i Hungarisë, prej 150,8 euro/MWh.

Në krahasim me Greqinë, situata ishte e ndryshme. Energjia në Shqipëri ishte mesatarisht 9,6 euro/MWh më e shtrenjtë gjatë tremujorit të tretë. Diferenca absolute e çmimeve ndërmjet dy tregjeve tejkaloi 20 euro/MWh në 62,8% të orëve.

Raporti evidenton edhe rritjen e konsumit të energjisë në Shqipëri, i cili arriti në 2,20 TWh në tremujorin e tretë, nga 1,96 TWh në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me një zgjerim prej 12,2%. Shqipëria dhe Mali i Zi regjistruan rritjet më të mëdha të konsumit në Ballkanin Perëndimor.

Ndërkohë, aktiviteti tregtar në bursën e përbashkët të energjisë për Shqipërinë dhe Kosovën, ALPEX, vijoi zgjerimin. Vëllimet e tregtuara në tregun e një dite përpara u rritën me 46,2% në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2025, ritmi më i lartë ndër katër bursat e energjisë të përfshira në raport. Në të gjithë rajonin, vëllimet e tregtuara u rritën me 26,7%, duke arritur në rreth 2,97 TWh.

Në shkëmbimet ndërkufitare me Greqinë, importet e programuara tregtare drejt Shqipërisë u rritën në 479 GWh, nga 380 GWh një vit më parë. Edhe eksportet e programuara nga Shqipëria drejt Greqisë u rritën, nga 39 GWh në 166 GWh.

Nga ana tjetër, flukset fizike paraqitën një ecuri tjetër. Energjia që kaloi fizikisht nga Greqia drejt Shqipërisë arriti në 612 GWh, nga 637 GWh një vit më parë, ndërsa flukset në drejtimin e kundërt mbetën pothuajse të pandryshuara, në 42 GWh, nga 43 GWh një vit më parë.

Sekretariati thekson se dallimet ndërmjet shkëmbimeve tregtare të programuara dhe flukseve fizike janë në përputhje me funksionimin e rrjeteve të ndërlidhura, ku lëvizja fizike e energjisë nuk ndjek domosdoshmërisht programet tregtare dypalëshe. Raporti nënvizon gjithashtu se zhvillimet e çmimeve dhe shkëmbimeve ndërkufitare nuk mund t’i atribuohen vetëm mekanizmit CBAM, pasi ndikohen edhe nga prodhimi, kërkesa dhe kapacitetet e disponueshme të transmetimit./ N.Maho

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Sejko pret anëtarin e Bordit të ECB-së: SEPA dhe Instant Payments na afrojnë me standardet e BE-së

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi sot një takim me Piero Cipollone, anëtar i Bordit Ekzekutiv të Bankës Qendrore Evropiane, ...

2 hours më parë 5 Min Lexim

Malaj përgënjeshtron vetveten: Nga 1 janari 2027, dividendi do tatohet 15% edhe për fitimet e 2026

Përveçse bizneset u zgjuan një mëngjes para një jave për të parë se taksat e tyre ishin rritur papritur nga qeveria, që u kishte premtuar besën se ...

3 hours më parë 6 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!