Shkon në dy numri i viktimave që humbën jetën si pasojë e shpërthimit të fuqishëm dhe zjarrit në pallatin 5-katësh në Elbasan.
Pas 82-vjeçares Hatixhe Berisha, e cila u gjet pa shenja jete gjatë pasdites së djeshme, është bërë e mundur edhe gjetja e trupit të pajetë të 69-vjeçarit Hamit Ibro. Ai u shpall i zhdukur pasi kishte humbur kontaktet me familjen që prej mesditës së djeshme.
Trupi i 69-vjeçarit është gjetur rreth orës 01:30, nën rrënojat e pallatit, i djegur plotësisht. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë vendngjarjes për Syri Tv.
Kërkimet për gjetjen e tij vijuan për rreth 10 orë. Ndërkohë, që prej orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme, shpresat që 69-vjeçari të ishte gjallë u shuan pas këqyrjes së ambienteve me kamera termike.
Përveç dy viktimave, pranë Spitalit Rajonal të Elbasanit janë paraqitur edhe 10 persona, mes tyre fëmijë, të cilët kanë shfaqur probleme me asfiksimin për shkak të tymit të dendur.
© SYRI.net