Gjatë vizitës së punës në Berlin, Bekim Sali, Zëvendëskryetari i Parë i Qeverisë dhe Ministër për Çështje Evropiane, u takua me Peter Beyer, deputet i Bundestagut gjerman. Biseda u përqendrua te perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut, zhvillimet e fundit në politikën e zgjerimit të BE-së dhe mundësitë për të forcuar bashkëpunimin mes dy vendeve.
Një nga temat kryesore ishte afrimi gradual me tregun e përbashkët evropian, i cili mund t’u sjellë përfitime konkrete qytetarëve dhe bizneseve, ndërsa vendi vijon reformat dhe përparimin drejt anëtarësimit të plotë.
Të lidhura
None found
Sali vuri në dukje rëndësinë e qasjes së re të Komisionit Evropian për përgatitjen e një Bashkimi Evropian më të gjerë. Ai nënvizoi se zgjerimi duhet të ecë me ritëm më të shpejtë, të jetë i parashikueshëm dhe të mbështetet te meritat.
Sipas Salit, afrimi evropian duhet të sjellë rezultate edhe përpara anëtarësimit. Ai theksoi se qytetarët dhe bizneset duhet t’i përjetojnë që tani përfitimet e lidhjes më të ngushtë me Bashkimin Evropian, ndërkohë që vazhdon puna për reformat e nevojshme për anëtarësim të plotë. Integrimi gradual, shtoi ai, mund ta kthejë perspektivën evropiane në përfitime konkrete.








