Fishekë për miletin naiv: ja një shembull i mashtrimit nga ana e Qeverisë së Kosovës
Para dy vjetësh u tha se në fshatin Jahoc të Gjakovës do të hapej një fabrikë për prodhimin e municionit. Para një viti u tha se në fshatin Jahoc të Gjakovës do të hapej një fabrikë për prodhimin e municionit dhe se plumbat e parë «Made in Kosova» do të prodhoheshin deri në fund të vitit 2026. Jemi në fund të vitit 2026 – në vend të plumbave kemi përralla. Pse rren kjo qeveri?
Më 27 nëntor 2025, eksponentë të Qeverisë së Kosovës, me tupanë e me brohoritje, premtuan se fabrika për prodhimin e municioneve në fshatin Jahoc të Gjakovës do t’i nxirrte në treg municionet e para deri në fund të vitit 2026. Ky vit i shkretë është afër fundit. Kanë mbetur më pak se dy muaj. E fabrika? Po municioni? S’janë askund, s’duken askund, nuk shihet asnjë gjurmë. Kështu njofton «Koha Ditore». Tash militantët e Vetëvendosjes le t’i pështyjnë duart e të nisin një seri sulmesh kundër gazetarëve – këtyre armiqve të shtetit dhe të prosperitetit.
Procedurat për ndërtimin e fabrikës filluan më 2024. Më 2025 u tha se «hapësira prej më shumë se 100 hektarësh në këtë fshat afër qytetit të Gjakovës do të shndërrohet në zonë industriale dhe do të shërbejë për prodhimin e municionit për ushtri e polici, pasi Qeveria në detyrë ka marrë vendim në mbledhjen e së enjtes për t’i shpronësuar për këtë destinim pronat e ish-kombinatit Ereniku». Hajde mashalla!
Gazetarja e «Kohës Ditore», Valbona Bytyçi, profesioniste dhe e vëmendshme, tani ka shtruar pyetjen më normale gazetareske: çka u bë me fabrikën për të cilën kam shkruar vitin e kaluar? U ndërtua? Ku janë fishekët? Ajo ka shkuar në vendin e ngjarjes, në fshatin Jahoc. Me vete kishte edhe këtë informatë: «...më 13 shtator, në ekspozenë e tij si mandatar për kryeministër, (Albin) Kurti deklaroi se ‘prodhimi i municionit është paraparë të nisë brenda vitit 2026’».
Vetëm nëse fishekët i prodhon inteligjenca artificiale ose nëse fabrika është ndërtuar nën sipërfaqen e tokës, sepse, sipas «Kohës Ditore», «të mërkurën u panë kamionë e eskavatorë duke lëvizur dheun nga një pjesë në tjetrën, ndonëse qasja për të parë nga afër punimet që këto makineri kryenin nuk qe e mundur».
Kur ndërtojnë fabrika të paqena, zyrtarët e kësaj qeverie nuk i lënë gazetarët të afrohen. Ama premtimet i kanë të bukura këta qeveritarët e Kosovës. «Mund të them që në fund të vitit të ardhshëm do t’i kemi plumbat e parë që do të prodhohen në Kosovë», tha një anëtar i Qeverisë së Kosovës më 27 nëntor 2025.
Por krejt çka ka ndodhur ndërkohë është një lëvizje e dheut. Ministria e Mbrojtjes ka thënë se «mbetemi të përkushtuar» për realizimin e projektit. Sa i përket përkushtimit, kjo qeveri është kampione botërore. Realizimi çalon pak, por kush e këqyr për pak.
Nuk po e këqyrim për pak as këtë fakt: më 2018, para tetë vjetësh, nisi ndërtimi i autostradës për Gjilan, por ende nuk ka përfunduar as segmenti i parë, Banullë–Bresalc, prej 22,31 kilometrash. Lexoni mirë: tetë vjet – as 22 kilometra. Gjashtë qeveri nuk e kanë përfunduar, por prej tyre më së gjati në pushtet ka qenë qeveria e Vetëvendosjes. Qeveria e fjalëve të mëdha dhe e dembelisë epokale.
Projekti i plotë deri te Dheu i Bardhë parashihet të ketë 47,1 kilometra. Sipas raportimit të fundit të Radios Evropa e Lirë, më 27 tetor 2026, deri në fund të vitit 2025 ishin shpenzuar rreth 50,2 milionë euro, ndërsa vlera e përgjithshme e parashikuar në buxhetin e vitit 2026 është 183,7 milionë euro. Milionat parashihen, planifikohen, disa digjen, harxhohen, zhduken, avullohen, ama autostrada nuk është askund. Arsyetimet janë këto: gabime në projektim dhe rrëshqitje të dheut. (Nuk e kanë ditur që autostrada shtrohet mbi dhe, kanë menduar se shtrohet në hava.) Një problem tjetër: shpronësimet e papërfunduara. Probleme të tjera: zvarritja e punimeve dhe ndërprerja e kontratave. Plus: dobësi në mbikëqyrje dhe parregullsi në pagesa. Holy shit! Do të thoshte ndonjë zëdhënës i Gjeneratës Z.
Sipas Radios Evropa e Lirë, ish-ministri Liburn Aliu ka përmendur edhe pandeminë dhe shtrenjtimin e materialeve pas fillimit të luftës së Rusisë në Ukrainë si faktorë që vështirësuan zbatimin e kontratave të lidhura me çmime më të hershme. E gjetëm fajtorin: Vlladimir Putini e ka bllokuar ndërtimin e autostradës për në Gjilan.
Për rajonin e Anamoravës nuk duhet pasur mëshirë fare. Ka dërguar në Prishtinë deputetë të paaftë, të cilët në Kuvendin e Kosovës janë keqpërdorur vetëm si «vegla për votim» – tingëllon tragjike, por është e vërtetë.
Të kthehemi pak në botën e fantazisë: Hasan Hyseni, mërgimtar me banim në Zürich, me origjinë nga fshati Muçibabë, do të vijë në Kosovë për festat e Vitit të Ri, bashkë me kushërinjtë e tij nga fshati Muçivërc. Që tani kanë filluar të gëzohen të gjithë: kur të kalojnë nëpër autostradën e re për në Gjilan, më 31 dhjetor 2026, do t’i nxjerrin alltitë e reja dhe do të shtijnë në ajër me fishekët e prodhuar në fshatin Jahoc të Gjakovës. Gëzuar Vitin e Ri!




























