Turqia në shënjestër të BE-së, kritika për pretendimet në Egje dhe doktrinën “Atdheu Blu”

05/11/2026 08:36

Bashkimi Evropian ka ashpërsuar qëndrimin ndaj Turqisë, duke evidentuar në Raportin e Zgjerimit një sërë shqetësimesh lidhur me regresin demokratik, mosrespektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe tensionet e vazhdueshme me Greqinë.

Në dokumentin e publikuar së fundmi, Brukseli kritikon gjithashtu qëndrimin e Ankarasë ndaj luftës në Ukrainë, shmangien e sanksioneve evropiane kundër Rusisë dhe pretendimet e saj në Egje dhe Mesdheun Lindor.

Sipas raportit, përafrimi i politikës së jashtme turke me parimet dhe qëndrimet e Bashkimit Evropian vlerësohet si shumë i ulët. Një zyrtar evropian ka theksuar se shmangia e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë mbetet në nivele të konsiderueshme, ndërsa Turqia duhet të bëjë më shumë përparim në këtë drejtim.

Në fokus të kritikave të Brukselit është edhe memorandumi turko-libian, i konsideruar në raport si në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe të Drejtën e Detit. Komisioni Evropian ka mbështetur qëndrimin e Greqisë, sipas të cilit marrëveshja cenon të drejtat sovrane të vendeve të treta dhe nuk mund të prodhojë pasoja juridike për to.

Ky qëndrim u bë i qartë edhe gjatë ndërhyrjes së ministrit të Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ku përfaqësuesi i BE-së, Stavros Lambrinidis, shprehu mbështetjen e Komisionit për pozicionin e Athinës.

Tensionet me Greqinë, pengesë për afrimin me BE-në

Raporti evidenton disa çështje që vijojnë të pengojnë përmirësimin e marrëdhënieve mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë. Ndër to përfshihen qëndrimi i Ankarasë ndaj Qipros Veriore, fluturimet mbi ishujt grekë, shkeljet e hapësirës ajrore dhe ujërave territoriale të Greqisë, si dhe mosmarrëveshjet në Egje dhe Mesdheun Lindor.

Megjithëse Komisioni vëren një përmirësim të përgjithshëm të marrëdhënieve greko-turke që prej vitit 2023 dhe mungesë të shpimeve të paautorizuara turke në Mesdheun Lindor, situata në Egje vijon të mbetet problematike.

Një shqetësim i veçantë është edhe casus belli i shpallur nga Asambleja e Madhe Kombëtare e Turqisë në vitin 1995, në rast se Greqia zgjeron ujërat e saj territoriale në 12 milje detare në Egje.

Brukseli kujton se kjo e drejtë parashikohet në nenin 3 të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit (UNCLOS), ndërsa paralajmëron se kërcënimi turk vijon të rëndojë marrëdhëniet dypalëshe.

Në raport përmenden gjithashtu pretendimet e Turqisë për demilitarizimin e ishujve grekë, njoftimet e lundrimit të lëshuara nga Ankaraja dhe sfidat që, sipas Komisionit, prekin sovranitetin, të drejtat sovrane dhe juridiksionin e Greqisë. Shqetësim për BE-në përbën edhe përfshirja e doktrinës së ashtuquajtur “Atdheu Blu” në tekstet shkollore turke.

Kundërshtitë për kabllon elektrike dhe zhvillimet në rajon

Një tjetër çështje e evidentuar në raport është projekti i ndërlidhjes elektrike Great Sea Interconnector (GSI), që synon lidhjen energjetike të rajonit.

Komisioni Evropian thekson se Turqia ka vijuar të pengojë aktivitetet kërkimore të nevojshme për zbatimin e projektit, pavarësisht pjesëmarrjes dhe financimit evropian. Kjo situatë shihet si pjesë e problemeve më të gjera që pengojnë bashkëpunimin energjetik në Mesdheun Lindor.

Raporti ndalet edhe te reagimet e Ankarasë ndaj transferimit të një baterie të sistemit Patriot në ishullin grek të Karpathosit, në kuadër të masave për përballimin e kërcënimit raketor iranian.

Po ashtu, përmendet tensioni i shkaktuar nga vendosja e avionëve grekë F-16 në Qipro, pas sulmit me dron ndaj bazave britanike. Sipas vlerësimit të Brukselit, këto zhvillime tregojnë se krizat rajonale mund të ndikojnë lehtësisht në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Turqisë.

Paralajmërim edhe për Maqedoninë e Veriut

Në të njëjtin raport, Komisioni Evropian ka ngritur shqetësime edhe për Maqedoninë e Veriut dhe zbatimin e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë.

Brukseli vlerëson se bashkëpunimi mes dy vendeve vijon në fusha si ekonomia, infrastruktura, ndërlidhja energjetike, turizmi dhe kultura, por thekson se zbatimi me mirëbesim i marrëveshjeve dypalëshe, veçanërisht i Marrëveshjes së Prespës, mbetet thelbësor.

Në dokument thuhet se anëtarë të qeverisë dhe zyrtarë të lartë maqedonas herë pas here e anashkalojnë marrëveshjen, përfshirë rastet kur nuk përdorin emrin kushtetues të vendit, Maqedonia e Veriut.

Kritikat e Komisionit lidhen me qëndrimin e kryeministrit Hristijan Mickoski dhe zyrtarëve të tjerë të partisë në pushtet VMRO-DPMNE, të cilët në deklaratat publike përdorin emërtimin “Maqedoni”, pa përfshirë përcaktimin “e Veriut”.

Sipas Brukselit, respektimi i Marrëveshjes së Prespës është një kusht i rëndësishëm për ruajtjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe përparimin e procesit të integrimit evropian.

Top Channel