Portieri Jesus Ovono ka reaguar për herë të parë pas ngjarjes tragjike në futbollin spanjoll, ku një përplasje gjatë ndeshjes i mori jetën futbollistit të Tenerife-s, Jesus de Miguel, 30 vjeç. Përmes një deklarate të publikuar së bashku me klubin e tij, Andorra, Ovono shprehu dhimbjen e thellë për atë që ndodhi, duke theksuar se po përjeton momentet më të vështira të jetës së tij.

Ngjarja ndodhi gjatë një ndeshjeje të kategorisë së dytë në Spanjë, kur portieri u përplas me De Miguel pranë mesfushës. Gjatë kontaktit, gjuri i Ovonos goditi futbollistin në kraharor, duke e rrëzuar në fushë. Lojtarët reaguan menjëherë, duke kërkuar ndërhyrjen e stafit mjekësor.

De Miguel u transportua me urgjencë në spital, por fatkeqësisht ndërroi jetë të martën, pas një arresti kardiak. Vdekja e 30-vjeçarit ka tronditur futbollin spanjoll, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe nëse ka elementë të një vrasjeje nga pakujdesia.

Ndërkohë, Ovono është përballur edhe me reagime të ashpra dhe mesazhe fyese në rrjetet sociale. Presioni ka qenë i tillë, sa portieri është detyruar të mbyllë përkohësisht llogarinë e tij në Instagram. Në deklaratën e tij, ai shpreh dhimbjen për humbjen e futbollistit, ndërsa ngjarja ka lënë në zi komunitetin e futbollit në Spanjë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb