Conference League, Egnatia kampione e Shqipërisë, sonte luan ndeshjen e 3-të të fazës së ligës të këtij kompeticioni kundër rumunëve të Universitatea Craiova. Ndeshja zhvillohet në Rumani, prej orës 21:00.
Egnatia nuk ka presion para kësaj sfide. Pas kualifikimit historik në grupet e Conference League-s e paraqitjeve të mira me dy barazime ndaj kundërshtarëve danezë, Midtjylland dhe Arhaus, skuadra e trajnerit Dede është krejtësisht e qetë.
Rrogozhinasit nuk kënaqen me kaq dhe sot synojnë të japin gjithçka në Rumani, për një tjetër rezultat pozitiv në grup.
Nuk ka asgjë të pamundur dhe kampionët e Shqipërisë luajnë shanset e tyre. Jo më kot, në ndeshjen e fundit të kampionatit, trajneri Nevil Dede preferoi të çlodhte lojtarë me peshë si Dajsinani, Kryeziu, Fernando Medeiros e Jaime ndërsa Adjesa dhe Jago u aktivizuan nga stoli. Të gjithë pritet të zbresin në fushë nga minuta e parë, sot në mbrëmje.
Problem për rrogozhinasit është vetëm qendra e mbrojtjes. Sota u dëmtua dhe Bitri ka udhëtuar me skuadrën në Rumani, por është në dyshim pas dëmtimit që pësoi ndaj Tiranës, ditë më parë. Tjetër mungesë e rëndësishme për trajnerin Dede është ajo e sulmuesit Gruda, edhe ai i dëmtuar në kampionat.
Nëse sot marrin pikë në Rumani, kampionët e Shqipërisë shtojnë shanset e tyre për një kualifikim të mundshëm në fazën tjetër të Conference League.