Tragjedia në Elbasan/ Nisin hetimet për shkaqet e shpërthimit në pallat! Dy persona humbën jetën, disa të tjerë u plagosën dhe u shkaktuan dëme të mëdha

Pas përfundimit të operacionit të kërkim-shpëtimit, autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të shpërthimit tragjik në pallatin në lagjen “Beqir Dardha” në Elbasan, ku humbën jetën dy persona, u plagosën disa të tjerë, si dhe u shkaktuan dëme të mëdha.

Ekspertë të Policisë dhe Prokurorisë së Elbasanit, kanë mbërritur në vendngjarje për të mbledhur provat dhe për të dokumentuar rrethanat e ngjarjes.

Të lidhura

None found

Ndërkohë, pritet që specialistët e Institutit të Ndërtimit të kryejnë një ekspertizë për të vlerësuar dëmet dhe sigurinë e godinës.

Vlerësimi teknik do të përcaktojë nëse pallati është i qëndrueshëm dhe nëse banorët mund të rikthehen në banesat e tyre. Nga ana tjetër, Bashkia e Elbasanit ka bërë të ditur se do të marrë masa për strehimin e familjeve të prekura nga shpërthimi.

Kujtojmë që viktima nga shpërthimi mbetën një burrë dhe një grua. Mëngjesin e sotëm u gjet trupi i pajetë i 69 vjeçarit Hamit Ibra.

Ai rezultonte i zhdukur që prej momentit të shpërthimit, ndërsa ekipet e emergjencës vijuan për orë të tëra kërkimet për gjetjen e tij nën rrënojat e pallatit.

Një ditë më parë u gjet e pajetë edhe 82-vjeçarja Hatixhe Berisha, e cila jetonte një kat më lart apartamentit në flakë.


Shtuar më 5.11.2026 09:18

Quantcast