Kim Kardashian dhe aktorja Jennifer Lawrence kanë tërhequr vëmendjen në New York, pasi janë shfaqur së bashku me veshje gjumi pothuajse identike, duke zgjedhur rehatinë në vend të veshjeve luksoze që zakonisht karakterizojnë daljet e tyre publike.

Dy yjet u fotografuan të mërkurën, më 4 nëntor, teksa largoheshin nga hoteli Four Seasons në New York. Kardashian, 46 vjeç, dhe Lawrence, 36 vjeç, kishin zgjedhur pothuajse të njëjtin kombinim veshjesh. Kim Kardashian kishte veshur një komplet me bluzë dhe pantallona nga koleksioni i saj SKIMS, pjesë e një edicioni të kufizuar. Pizhamet dalloheshin për motivet me drerë dhe lule, të vendosura mbi një sfond të zi.

Edhe Jennifer Lawrence ishte përshtatur me të njëjtin stil, duke zgjedhur një komplet prej kadifeje me pantallona dhe bluzë me mëngë të gjata nga koleksioni i veshjeve të gjumit të markës. Miqësia mes aktores dhe familjes Kardashian është e njohur prej vitesh. Lawrence nuk e ka fshehur asnjëherë admirimin për familjen e famshme dhe spektaklin e tyre televiziv. Madje, në vitin 2015, Kris Jenner i kishte bërë një surprizë aktores në festën e 25-vjetorit të lindjes, ku ishte shfaqur papritur mes të ftuarve.

Këtë herë, dy mikeshat duket se kanë zgjedhur një mbrëmje larg formaliteteve, duke e kthyer daljen me pizhame në një nga momentet më të komentuara të showbiz-it.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb