Thursday / November 5 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Bota Europa

Gjigantët e naftës po përfitojnë nga lufta SHBA-Iran, BE kërkon taksimin e superfitimeve

Share Share Icon

Një raport i ri, i porositur nga Greenpeace Gjermani, ka zbuluar se kompanitë e naftës kanë siguruar 36 miliardë euro marzhe shtesë nga pasojat e konfliktit SHBA-Iran, gjatë periudhës 1 mars – 19 tetor. A mund t’i taksojë Europa këto fitime për të ndihmuar në uljen e faturave në rritje të energjisë?

Që nga nisja e konfliktit SHBA-Iran, më 28 shkurt, europianët janë përballur me fatura më të larta energjie. Kostot shtesë kanë përfunduar drejtpërdrejt në arkëtimet e kompanive të mëdha të naftës.

Greenpeace vlerëson se kompanitë e naftës kanë përfituar 36 miliardë euro më shumë nga shitjet e naftës dhe benzinës në Bashkimin Europian, krahasuar me periudhën para luftës. Përllogaritja bazohet në diferencën midis çmimit të naftës bruto dhe çmimeve të karburanteve pa taksa.

Kjo shumë përkthehet në 154.4 milionë euro në ditë. Nga totali, 28.2 miliardë euro i përkasin naftës (diesel), ndërsa pothuajse 7.8 miliardë euro benzinës.

Ndërsa industria kundërshton akuzat se po përfiton në kurriz të qytetarëve, shtetet anëtare po kërkojnë vendosjen e një takse në nivel të BE-së mbi të ashtuquajturat fitime të jashtëzakonshme ose superfitime.

Ministrat europianë të Energjisë diskutuan më 29 tetor masat për uljen e faturave, por nuk arritën në një vendim për vetë taksën.

Fituesit

Varësia e Europës nga lëndët djegëse fosile është ajo që i bën të mundura këto fitime.

“Nafta, gazi dhe qymyri përbëjnë pothuajse 60% të konsumit total përfundimtar të energjisë në BE”, ndërsa blloku prodhon shumë pak prej tyre brenda territorit të vet, shpjegoi Noah Gordon, studiues i lartë i politikave në Këshillin Europian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Burimet e rinovueshme po e zëvendësojnë gradualisht gazin në sistemin energjetik, përfshirë prodhimin e energjisë elektrike, tha Ben McWilliams, studiues i asociuar në Bruegel. Megjithatë, përparimi është i ngadaltë, veçanërisht në disa sektorë.

“Transporti rrugor vazhdon të dominohet nga benzina dhe nafta, ndërsa gazi natyror mbetet burimi kryesor për ngrohjen e banesave”.

Ndërsa lufta ndërpret transportin e furnizimeve dhe kufizon ofertën, qytetarëve u mbeten pak alternativa.

Raporti zbuloi se operatorët e rafinerive, veçanërisht kompanitë e mëdha të naftës, janë përfituesit kryesorë në Europë.

Fitimet ishin më të larta në fazën e nxjerrjes së naftës bruto, ku kostot janë shumë më të ulëta se çmimet ndërkombëtare të naftës, duke zgjeruar diferencën me çmimet e shitjes së karburanteve.

Rezultatet financiare të kompanive të naftës e konfirmojnë këtë situatë.

Muajin e kaluar, Shell raportoi pothuajse dyfishimin e fitimeve në tremujorin e fundit të vitit 2026, në 10.81 miliardë dollarë, duke tejkaluar parashikimin prej 10.33 miliardë dollarësh dhe duke iu afruar dyfishit të nivelit prej 5.43 miliardë dollarësh të vitit 2025.

Gjiganti francez i naftës TotalEnergies raportoi një fitim neto të rregulluar prej 9.1 miliardë dollarësh për periudhën korrik-shtator, mbi parashikimin prej 8.3 miliardë dollarësh dhe më shumë se dyfishi i nivelit prej 4 miliardë dollarësh të një viti më parë.

Fitimi neto i kompanisë britanike BP arriti në 8.46 miliardë dollarë në tremujorin e tretë të vitit 2026, niveli më i lartë që nga viti 2008, kur kishte arritur në 8.9 miliardë dollarë.

Përfitime të jashtëzakonshme apo thjesht kalim i kostove te konsumatorët?

Industria e naftës argumenton se nuk po përfiton në kurriz të konsumatorëve. Sipas saj, të ardhurat janë rritur për shkak të shtrenjtimit të naftës bruto dhe kompanitë thjesht po ua kalojnë këto kosto më të larta blerësve.

Për Gordon, një pjesë e këtij argumenti qëndron.

“Një arsye kryesore e rritjes së çmimeve të karburanteve për konsumatorët është mungesa e kapaciteteve të rafinimit. Marzhi i rafinimit, pra diferenca midis kostos së një fuçie nafte bruto dhe çmimit të një fuçie produkti të rafinuar, si nafta apo benzina, është trefishuar në Europë që nga fillimi i krizës së Hormuzit”.

Por Gordon sheh kufizime në këtë argument.

“Kompanitë e naftës po bëjnë më shumë sesa thjesht po kalojnë te konsumatorët koston e naftës së shtrenjtë. Natyrisht, si subjekte që synojnë fitimin, ato po përfitojnë edhe nga rritja e marzheve”, tha ai për Euronews.

Greenpeace argumenton se kostot më të larta të naftës bruto nuk mund t’i shpjegojnë plotësisht marzhet shtesë.

Në BE, çmimet e naftës pa taksa u rritën me 22.7 cent për litër më shumë sesa rritja e çmimit të naftës bruto, ndërsa çmimet e benzinës u rritën me 13.3 cent për litër më shumë.

Kjo diferencë nuk mund të shpjegohet nga shtrenjtimi i naftës bruto.

Raporti nuk gjeti as ndonjë rritje të konsiderueshme të kostove të tjera të rafinerive, si ato të prodhimit, rafinimit dhe shpërndarjes.

Për këtë arsye, Greenpeace arrin në përfundimin se diferenca përfaqëson marzhe shtesë që kompanitë kanë përfituar nga shitja e karburanteve.

E njëjta luftë, marzhe të ndryshme

Marzhet shtesë ishin më të larta në tregjet më të mëdha të karburanteve.

Gjatë periudhës 1 mars – 19 tetor, fitimet shtesë nga nafta dhe benzina në Gjermani arritën në pothuajse 6.7 miliardë euro, e ndjekur nga Franca me 5.7 miliardë euro, Italia me gati 5.1 miliardë euro dhe Spanja me mbi 4.7 miliardë euro.

Gjermania regjistroi gjithashtu vlerën më të lartë ditore, prej 28.7 milionë eurosh, përpara Francës me 24.6 milionë euro dhe Italisë me 21.7 milionë euro.

Për çdo litër nafte, marzhet shtesë ishin më të larta në Suedi, me 27.4 cent për litër, Spanjë me 26.6 cent dhe Slloveni me 25.4 cent.

Për benzinën, nivelet më të larta u regjistruan në Danimarkë, me 18.4 cent për litër, Gjermani me 16.9 cent dhe Spanjë me 15.5 cent.

Në disa vende të BE-së, masat e qeverive ndihmuan në kufizimin e marzheve.

“Faktori më i rëndësishëm ishte nëse qeveria e përcaktonte çmimin e shitjes në pikat e karburantit. Në vendet me çmime fikse ose me tavane çmimesh, si Malta, Hungaria, Sllovakia, Sllovenia dhe Kroacia, çmimi i naftës para taksave u rrit mesatarisht me 0.38 euro për litër, krahasuar me 0.57 euro në vendet e tjera”, tha Matteo Prina, drejtues i një grupi kërkimor në Institutin për Energjinë e Rinovueshme të Eurac Research.

Megjithatë, kufizimet e çmimeve nuk garantojnë gjithmonë marzhe më të ulëta.

“Belgjika dhe Luksemburgu gjithashtu i rregullonin çmimet, por çmimi maksimal në këto vende lidhet me çmimet e shitjes me shumicë, ndaj marzhet e rafinimit reflektohen drejtpërdrejt në çmimin përfundimtar”.

“Ulja e taksave uli çmimet në pikat e karburantit, por çmimi para taksave u rrit po aq në vendet që ulën taksat sa edhe në ato që nuk i ulën. Kjo më bën të mendoj se një pjesë e lehtësimit për konsumatorët përfundoi në marzhet e kompanive”, shpjegoi Prina.

Ai shtoi se vendosja e tavaneve të çmimeve mund të ketë edhe pasoja anësore, si në Sllovaki dhe Slloveni, ku qeveritë u detyruan të vendosnin kufizime në sasinë e karburantit që mund të blihej në pikat e furnizimit.

Si mund të funksionojë një taksë mbi fitimet e kompanive të naftës?

Qeveritë mund t’i mbrojnë konsumatorët nga rritja e çmimeve të energjisë dhe karburanteve përmes masave afatshkurtra, përfshirë uljen e taksave mbi energjinë ose dhënien e subvencioneve.

Megjithatë, “kjo në një masë të madhe thjesht e zhvendos koston nga konsumatorët e energjisë te taksapaguesit. Nuk e ndryshon problemin themelor, që Europa po paguan më shumë për importin e lëndëve djegëse fosile”, shpjegoi McWilliams.

Për këtë arsye, Europa mund të vendosë të taksojë fitimet.

Edhe pse ende nuk është marrë një vendim, Komisioni Europian mund të shqyrtojë vendosjen e një takse mbi fitimet e jashtëzakonshme.

Gjashtë shtete të BE-së, përfshirë Gjermaninë, Portugalinë, Spanjën, Austrinë, Italinë dhe Poloninë, kërkuan vendosjen e kësaj takse më herët gjatë vitit, ndërsa disa vende e kanë zbatuar tashmë.

Portugalia, për shembull, i takson me një normë prej 33% fitimet e jashtëzakonshme të vitit 2026 të kompanive të naftës dhe rafinimit.

BE-ja vendosi një taksë të ngjashme mbi fitimet e jashtëzakonshme në vitin 2022, pas pushtimit rus të Ukrainës, përmes të ashtuquajturit “kontribut solidariteti”.

Ky mekanizëm parashikonte një taksë minimale prej 33% mbi fitimet e tatueshme të kompanive që tejkalonin me më shumë se 20% mesataren vjetore të fitimeve të tatueshme që nga viti 2018.

Sipas një raporti të Komisionit Europian, kjo taksë gjeneroi pothuajse 29 miliardë euro të ardhura.

Një alternativë tjetër, sipas Prina, do të ishte që BE-ja të vendoste “një taksë mbi marzhin bruto për litër në aktivitetet e rafinimit dhe tregtimit të karburanteve, për pjesën që tejkalon një nivel referencë, i cili mund të monitorohet çdo javë”. / Euronews

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Inflacioni në Eurozonë arrin 4%, niveli më i lartë në tre vjet, rritet presioni mbi BQE-në

Inflacioni në Eurozonë u përshpejtua në tetor, duke arritur nivelin më të lartë në tre vjet, ndërsa rritja e çmimeve të energjisë po shton presioni...

24 hours më parë 3 Min Lexim
Bota /

Demokratët marrin kontrollin e Kongresit Amerikan, çfarë ndryshon për ekonominë?

Nga politikat fiskale dhe tarifat tregtare te borxhi publik, investimet në inteligjencën artificiale dhe marrëdhëniet me Europën, fitorja e demokra...

1 day më parë 15 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!