Ndërtuesit letër qeverisë për lidhjet e energjisë dhe ujit, 1,013 kërkesa të bllokuara
Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë i kërkon qeverisë të ndryshojë ligjin për lidhjen e objekteve me rrjetet e ujit dhe energjisë elektrike, duke kundërshtuar procedurat aktuale të kolaudimit. Sipas shoqatës, në Bashkinë Tiranë janë pezulluar rreth 1,013 kërkesa për regjistrim në Kadastër, ndërsa janë refuzuar 779 kërkesa për njësi ekzistuese.
Në një shkresë drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe institucioneve përgjegjëse, Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë propozon ndryshime në nenin 13, pikat 1 dhe 2, si dhe nenin 10, pika 2, të ligjit nr. 8402, datë 10.09.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”.
Shoqata e Ndërtuesve kërkon gjithashtu rishikimin e akteve nënligjore që rregullojnë procedurat e kolaudimit dhe marrjen e masave të menjëhershme administrative.
Procedurat e kolaudimit, pengesë për lidhjen me rrjetet
Sipas ndërtuesve, legjislacioni aktual krijon një varësi mes certifikatës së përdorimit dhe lidhjes së objekteve me rrjetet e ujit dhe energjisë elektrike. Kjo, sipas tyre, sjell vonesa administrative dhe vështirësi për kompanitë e ndërtimit dhe pronarët e njësive.
Në letër argumentohet se, edhe në rastet kur aplikimet për lidhje individuale janë paraqitur, faturimi vazhdon çdo muaj dhe kostot përkatëse u ngarkohen kompanive të ndërtimit. Pas marrjes së certifikatës së përdorimit, kompanitë duhet të aplikojnë sërish pranë institucioneve përkatëse për aktivizimin e rrjeteve.
Shoqata vlerëson se kjo procedurë përsëritet edhe në rastet kur kolaudimi është kryer më parë.
Kërkesat
Një nga kërkesat kryesore është përcaktimi i afateve të qarta për institucionet përgjegjëse:
-15 ditë për verifikimin e aktit të kontrollit nga njësia e vetëqeverisjes vendore.
-30 ditë për lëshimin e certifikatës së përdorimit.
-30 ditë për ASHK-në për regjistrimin e objektit.
-60 ditë pune për OSHEE-në për lidhjen e objektit, sipas rregulloreve të ERE-s.
Shoqata propozon gjithashtu që akti i kontrollit të konsiderohet i konfirmuar nëse njësia e vetëqeverisjes vendore nuk kryen kontrollin fizik brenda 15 ditëve, pa cenuar të drejtën e saj për kontroll fizik në afatin e përcaktuar.
Përtej ndryshimeve ligjore, ndërtuesit kërkojnë masa të menjëhershme administrative, pa pritur përfundimin e procesit të ndryshimit të ligjit.
Mes propozimeve janë udhëzimi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë që lidhjen e objekteve me rrjetet ta konsiderojë të nevojshme për punimet në kantier, inventarizimi i aplikimeve të mbetura pezull në Bashkinë Tiranë dhe raportimi mujor publik nga AZHT-ja për kohën e përpunimit të aplikimeve.
Një tjetër kërkesë është ngritja e një grupi pune ndërinstitucional, me pjesëmarrjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, AZHT-së, ERE-s, OSHEE-së, FSHU-së, shoqërive rajonale të ujësjellës-kanalizimeve, ASHK-së dhe Bashkisë Tiranë.
Grupi i punës do të kishte një mandat 60-ditor për hartimin e projektligjit dhe akteve nënligjore.
Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë gjithashtu, kërkon një takim me institucionet përgjegjëse brenda muajit, duke vënë në dispozicion të dhënat e anëtarëve, rastet konkrete dhe tekstin e propozuar ligjor.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









