Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Gazmend Syla ka njoftuar se me rastin e përvjetorit të arrestimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nesër do të organizohet një aktivitet simbolik në Prishtinë.
Syla ka bërë të ditur se aktiviteti do të mbahet para Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, ku përfaqësuesit e tri organizatave të dala nga lufta do të përcjellin mesazhe publike për të shprehur pakënaqësinë ndaj procesit gjyqësor në Hagë dhe solidaritetin me ish-krerët e UÇK-së.
“Nesër bëhen gjashtë vjet nga arrestimi i ish-krerëve të UÇK-së. Me këtë rast, do të organizojmë një aktivitet simbolik për të shprehur solidaritetin tonë me ish-krerët e UÇK-së. Aktiviteti do të mbahet nesër, në orën 12:00, para zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë”, tha Syla.
Ai ka njoftuar gjithashtu se u është drejtuar Asociacionit të Komunave të Kosovës me kërkesën që kryetarët e komunave, së bashku me administratat komunale, të dalin para objekteve të komunave në të njëjtën orë, për të shprehur solidaritetin.
“Kemi kërkuar nga Asociacioni i Komunave që kryetarët e komunave të dalin para objekteve të komunave për t’u solidarizuar me ne. Aktiviteti do të jetë paqësor dhe institucional. Përmes tij duam të tregojmë se nuk jemi indiferentë ndaj kësaj padrejtësie”, shtoi nën kryetari.
Sipas Sylës, ky aktivitet synon të dëshmojë se qytetarët dhe organizatat e dala nga lufta nuk janë indiferentë ndaj procesit gjyqësor që po zhvillohet në Hagë.
Syla, ka shprehur sërish zhgënjimin e tij pas kthimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke e cilësuar këtë zhvillim si të papranueshëm.
“Ka qenë e papranueshme. Është ndërtuar një kauzë që të votohet ai ligj dhe e gjithë ajo kauzë, me kthimin e tij, ra poshtë. Jemi shumë të zhgënjyer dhe po presim reflektimin edhe një herë të deputetëve. Jemi të bindur se çfarëdo ligji që vjen pas tij do të jetë më i dobët se ky që ka qenë, prandaj kjo çështje mbetet në përgjegjësinë e Kuvendit të Kosovës”, theksoi Syla.







Komente
Komento