Bota

Protesta masive në Francë, priten deri në 700 mijë demonstrues!

Franca sot përgatitet për një valë të re protestash masive dhe grevash kombëtare, me pjesëmarrjen e pritshme të 500 mijë deri në 700 mijë demonstruesve jashtë Parisit. Autoritetet do të mobilizojnë rreth 70 mijë policë në të gjithë vendin, ndërsa presidenti Emmanuel Macron përballet me një tjetër provë të rëndësishme politike, pesë muaj përpara zgjedhjeve presidenciale.

Sipas Reuters-it, protestat organizohen nga sindikatat, përfshirë CGT, me mbështetjen e organizatave studentore, në shenjë kundërshtimi ndaj rritjes së kostos së jetesës, përkeqësimit të shërbimeve publike dhe problemeve në sistemin arsimor.

Mobilizimi vjen pas disa javësh demonstratash dhe trazirash që kanë tronditur qeverinë franceze. Më 17 tetor, protestat u shoqëruan me dhunë, plaçkitje dhe dëmtime të dyqaneve e ndërtesave publike, duke nxitur kritika të forta ndaj mënyrës se si autoritetet menaxhuan situatën.

Qeveria ka shtuar masat e sigurisë për të shmangur përsëritjen e incidenteve.

Zëdhënësja e qeverisë, Maud Bregeon, deklaroi se autoritetet janë jashtëzakonisht vigjilente dhe nuk do të lejojnë përsëritjen e ngjarjeve të 17 tetorit.

Grevat pritet të shkaktojnë ndërprerje në transportin hekurudhor dhe atë publik, ndërsa sektori i arsimit do të jetë ndër më të prekurit. Ministria e Arsimit parashikon që 17.5% e mësuesve të shkollave fillore publike t’i bashkohen grevës.

Në protesta pritet të marrin pjesë edhe nxënës e studentë, të cilët kërkojnë përmirësimin e kushteve në shkolla dhe më shumë mundësi për të ardhmen. Lëvizja protestuese, e nisur fillimisht nga pakënaqësitë për kushtet në arsim, është zgjeruar duke përfshirë punonjës të sektorëve të ndryshëm dhe sindikata.

Në grevë pritet të përfshihen edhe punonjësit e sektorit energjetik. Kompania shtetërore EDF ka konfirmuar pjesëmarrjen e sindikatave të energjisë në mobilizimin e sotëm.

Një grevë e mëparshme në këtë sektor, në mesin e shtatorit, kishte reduktuar furnizimin me energji elektrike dhe kapacitetin e shpërndarjes në terminalin më të madh francez të gazit natyror të lëngshëm, Dunkirk LNG.

Përpara protestave, Macron zhvilloi të mërkurën një mbledhje për mbrojtjen dhe sigurinë, në përpjekje për të parandaluar përshkallëzimin e tensioneve.

Demonstratat e fundjavës së kaluar ishin kryesisht paqësore, megjithëse u regjistruan përplasje të izoluara. Megjithatë, klima politike mbetet e tensionuar, ndërsa partitë opozitare po përpiqen të përfitojnë nga pakënaqësia e qytetarëve për standardin e jetesës dhe politikat qeveritare, në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.