Dy viktima nga shpërthimi në Elbasan, ky është 69-vjeçari që u gjet i pajetë nën rrënoja
Vizion Plus ka siguruar foton e 69-vjeçarit Hamit Ibra, i cili u gjet i pajetë nën rrënojat e pallatit të dëmtuar nga shpërthimi i fuqishëm në lagjen “Beqir Dardha” në Elbasan.
Trupi i tij u nxor pas më shumë se 17 orësh kërkimesh të pandërprera nga ekipet e kërkim-shpëtimit, të cilat punuan gjatë gjithë natës në kushte të vështira, për shkak të dëmtimeve të rënda që kishte pësuar ndërtesa.
Hamit Ibra rezultonte i zhdukur që prej momentit të shpërthimit. Fatkeqësisht, kërkimet përfunduan me gjetjen e trupit të tij të pajetë.
Ai është viktima e dytë e kësaj ngjarjeje tragjike, pasi më herët humbi jetën edhe 82-vjeçarja Hatixhe Berisha.
Ndërkohë, autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e sakta të shpërthimit, si dhe për të vlerësuar dëmet e shkaktuara në strukturën e pallatit.




