Detaje të reja kanë dalë në dritë nga shpërthimi tragjik në një pallat në lagjen “Qemal Stafa” në Elbasan, ku humbën jetën dy persona dhe dhjetë të tjerë mbetën të lënduar.

Sipas informacioneve të reja, bombula e gazit që dyshohet se shkaktoi shpërthimin ishte vendosur në katin e parë të ndërtesës, ndërsa përmes një sistemi tubacionesh furnizonte apartamentin në katin e tretë, ku ndodhi ngjarja e rëndë.

Ky detaj pritet të jetë pjesë e hetimeve për të përcaktuar mënyrën se si ka ndodhur rrjedhja dhe grumbullimi i gazit që dyshohet se shkaktoi shpërthimin e fuqishëm.

Ndërkohë, mësohet se pallati, i cili pësoi dëmtime të rënda strukturore nga shpërthimi dhe zjarri që e pasoi, do të shembet përmes një shpërthimi të kontrolluar.

Ngjarja tragjike u regjistrua në lagjen “Qemal Stafa”, ku një shpërthim i fuqishëm u pasua nga flakë të mëdha në katin e tretë të ndërtesës.

Si pasojë humbën jetën Hamit Ibro, 69 vjeç, dhe Hatixhe Berisha, 82 vjeçe.

Trupi i pajetë i 69-vjeçarit, pronar i apartamentit ku shpërtheu zjarri, u gjet rreth orës 00:40, pas disa orësh kërkimesh intensive nga forcat e shpëtimit. Ndërsa 82-vjeçarja humbi jetën në vendngjarje.

Nga shpërthimi mbetën të lënduar edhe dhjetë banorë të tjerë të pallatit, të cilët morën ndihmë mjekësore dhe më pas u larguan nga spitali.

Në operacionin e kërkim-shpëtimit u angazhuan forcat e Policisë së Elbasanit, zjarrfikësit, Emergjencat Civile dhe efektivë të Forcave të Armatosura.

Sipas hetimeve paraprake, shkaku i dyshuar i tragjedisë është prania e një sasie të tepërt gazi në apartamentin e 69-vjeçarit.

Ekspertët xhenierë të RENEA-s, në bashkëpunim me grupin hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, vijojnë veprimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.