E enjte, 5 Nëntor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kronikë

62-vjeçari dyshohet se u vra nga djali dhe gruaja, flet banori: Gazmir Fiku nxënës shembullor, nuk besoj se e ka kryer krimin

Ngjarja e rëndë në fshatin Godvi të Bulqizës, ku 62-vjeçari Urim Fiku u vra dhe fillimisht u raportua si sulm nga një ari, ka tronditur banorët e zonës.

Për ngjarjen janë ndaluar djali i viktimës, Gazmir Fiku, dhe bashkëshortja e tij, Sadete Fiku, të dyshuar si autorë të krimit. Sipas hetimeve të policisë, 62-vjeçari nuk kishte humbur jetën nga sulmi i një kafshe të egër, por ishte vrarë me armë zjarri.

Megjithatë, banorët e zonës shprehen të habitur nga ajo që ka ndodhur. Njëri prej tyre, i cili tregon se e ka pasur Gazmir Fikun nxënës, thotë se e ka të vështirë të besojë përfshirjen e tij dhe të bashkëshortes në këtë ngjarje.

Banori: Për Gazmir Fikun, për të cilin thonë se ka vrarë të atin, unë kurrë nuk jam në një mendje. E kam pasur edhe nxënës dhe ka qenë një ndër nxënësit më shembullorë të shkollës. Familja shumë e mirë. Djali ka qenë nxënës i shkëlqyer. Unë nuk e konceptoj dot që e shoqja, Sadetja, bashkë me djalin të kenë bërë këtë krim. Çfarë nuk ndodh në këtë dynja, por me intuitën time nuk besoj.

Reklamë

Si ndodhi ngjarja

Gazmir Fiku, djali i viktimës, dhe Sadete Fiku, bashkëshortja e tij, dyshohet se qëlluan me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse Urim Fikun.

Dy autorët e dyshuar fillimisht e paraqitën ngjarjen si sulm nga një ari, por, sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, pas një hetimi intensiv dhe ekzaminimeve mjekoligjore, u zbulua se 62-vjeçari nuk kishte humbur jetën nga sulmi i një kafshe të egër, por ishte vrarë me armë zjarri.

Gjatë kontrolleve, policia ka sekuestruar një pistoletë model 54, me fishekë, si dhe një gëzhojë pistolete, e cila u gjet në oborrin e banesës. Këto materiale janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Ndaj dy të ndaluarve rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, kryer në bashkëpunim. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Dibrës për veprime të mëtejshme.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.