Boksieri shqiptar Nelson Hysa po vijon përgatitjet intensive për një nga sfidat më të rëndësishme të karrierës së tij, duelin e 28 nëntorit 2026 ndaj gjermanit Agit Kabayel. Përballja do të zhvillohet në Düsseldorf të Gjermanisë dhe do të jetë për titullin botëror të peshave të rënda në WBC.
Në prag të këtij takimi të rëndësishëm, Hysa ka marrë një mbështetje të veçantë, atë të familjes së tij. Boksieri shqiptar ka ndarë në rrjetet sociale një fotografi me njerëzit e tij më të afërt, duke shprehur emocionet dhe mirënjohjen për praninë e tyre gjatë fazës përgatitore.
“Shikoni kush erdhi të më mbështesë gjatë përgatitjeve … Bota ime. Forca ime. Gjithçka për mua”, shkruan Hysa krahas fotografisë së publikuar.
Një mesazh plot emocion nga sportisti shqiptar, i cili tregon se përtej stërvitjeve intensive, sakrificave dhe presionit që shoqëron një përballje të këtij niveli, familja mbetet burimi i tij më i madh i motivimit.
Tashmë, numërimi mbrapsht ka nisur për Nelson Hysën, i cili më 28 nëntor do të zbresë në ring me objektivin për të triumfuar ndaj Kabayel dhe për të synuar një sukses historik në boksin profesionist shqiptar.

