Kryeministri Albin Kurti vlerësoi progresin e vendit në fusha të ndryshme, duke u bazuar në gjetjet e Raportit të Komisionit Europian për Kosovën.
Duke prezantuar arritjet e evidentuara në dokument, në një konferencë për media, Kurti veçoi rritjen ekonomike prej 5.4% në tremujorin e parë të vitit, rritjen e të ardhurave buxhetore 8.3%, si dhe përmirësimin e ambientit të biznesit dhe reduktimin e ekonomisë informale.
Sa i përket procesit të integrimit europian, shefi i qeverisë së Prishtinës vuri në dukje se Kosova vazhdon të jetë e vetmja në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat, ndonëse, siç nënvizoi, ka dëshmuar përkushtim ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.
Albin Kurti përsëriti edhe kërkesën që sa më parë, Bashkimi Europian t’i dorëzojë Kosovës pyetësorin për statusin e vendit kandidat e të marrë vendimin lidhur me hapjen e negociatave për anëtarësim në Union. Më tej, shtoi:
Në luftën kundër krimit të organizuar, niveli ynë është ngritur. Progresi është vlerësuar më mirë se vitin e kaluar në reformën e administratës publike, në drejtësi, liri dhe siguri, në lëvizjen e lirë të kapitalit, në shërbimet financiare, në statistika, në menaxhimin e fondeve të Bashkimit Europian, si dhe në lirinë e shprehjes.