Zajkova kërkon llogari për dështimin në mbrojtjen e Biljanës në Bogdanci

Ngjarja tragjike në Bogdanci ka rikthyer vëmendjen te mbrojtja e viktimave të dhunës në familje dhe përgjegjësia institucionale. Monika Zajkova, kryetare e Partisë Liberale Demokratike (PLD) dhe deputete, kritikoi shumicën qeverisëse, duke thënë se ajo humbi mundësinë për të parandaluar në kohë tragjedi të tilla kur nuk e mbështeti propozimin për byzylykë elektronikë për abuzuesit.

Zajkova rikujtoi se Biljana, viktima nga Bogdanci, kishte denoncuar më herët dhunën dhe ishte kërcënuar me vdekje. Ajo kërkoi nga institucionet përgjegjëse të shpjegojnë si veprojnë kur një grua njofton se dikush e kërcënon se do ta vrasë, si dhe nëse sistemet aktuale të mbrojtjes janë efektive.

Të lidhura

None found

Sipas PLD-së, gjatë vitit të kaluar partia paraqiti në dy raste një zgjidhje ligjore për vendosjen e byzylykëve elektronikë ndaj autorëve të dhunës në familje, por shumica në pushtet nuk e përkrahu.

Propozimi parashikonte gjurmimin elektronik të lëvizjeve të abuzuesve dhe njoftimin e menjëhershëm të viktimave e shërbimeve përkatëse nëse shkelej një urdhër ndalimi i nxjerrë nga gjykata. PLD-ja vlerëson se kjo masë do të sillte reagim më të shpejtë dhe më shumë siguri për personat e prekur nga dhuna.

“Është e domosdoshme që kriminelët të marrin dënime më të rënda, por vetëm kjo nuk mjafton. Përgjegjësia duhet të shtrihet edhe te ata që kishin mundësi ta parandalonin krimin, por me vetëdije dhe qëllimisht vendosën se justifikimet budallaqe mjaftonin për të rrëzuar propozimin për byzylykun elektronik”, deklaroi Zajkova.


Shtuar më 5.11.2026 11:30

Quantcast