Elbasan, pallati shpallet i pabanueshëm pas shpërthimit, banorët zbrazin banesat nën mbikëqyrjen e policisë
Pas shpalljes së pallatit të pabanueshëm nga Instituti i Ndërtimit, banorët e 15 familjeve që jetonin në godinën e dëmtuar nga shpërthimi tragjik në Elbasan kanë nisur të tërheqin sendet personale dhe objektet me vlerë nga banesat e tyre. Procesi po kryhet nën masa të rrepta sigurie, me praninë dhe monitorimin e Policisë dhe shërbimeve zjarrfikëse, për shkak të rrezikut që paraqet godina e dëmtuar rëndë.
Banorët po hyjnë në banesa në mënyrë të kontrolluar, për të marrë veshjet, dokumentet dhe sendet e tjera të nevojshme, ndërsa hyrja në objekt bëhet nën mbikëqyrjen e autoriteteve. Pas vlerësimit teknik, ekspertët e Institutit të Ndërtimit kanë konkluduar se pallati paraqet rrezikshmëri dhe duhet të shembet.
Ndërkohë, Bashkia e Elbasanit ka vënë në dispozicion ambientet e konviktit për strehimin e familjeve që kanë mbetur pa banesa, ndërsa një pjesë e tyre kanë zgjedhur të sistemohen përkohësisht pranë të afërmve. Pas shpërthimit, që u mori jetën dy personave dhe la 10 banorë të dëmtuar, 15 familjet janë detyruar të largohen nga godina.
Kujtojmë se shpërthimi i fuqishëm ndodhi mesditën e së mërkurës në lagjen “Qemal Stafa” dhe shkaktoi dëme të rënda strukturore në pallat. Sipas dyshimeve paraprake të hetuesve, shkak i shpërthimit dhe zjarrit që pasoi ka qenë përqendrimi i lartë i gazit në banesën e 69-vjeçarit Hamit Ibra, i cili humbi jetën së bashku me 82-vjeçaren Hatixhe Berisha. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë nga Prokuroria e Elbasanit.
/vizionplus.tv




