Tifozët e Betisit shkaktuan skandal në Dortmund, nuk respektuan minutën e heshtjes për De Miguelin

Ndeshja mes Borussia Dortmundit dhe Betisit, e përfunduar me fitoren 2-1 të skuadrës gjermane, u shoqërua me një incident të shëmtuar në tribuna, ku një pjesë e tifozëve të klubit spanjoll prishën minutën e heshtjes në nderim të futbollistit të ndjerë, Jesus de Miguel.
UEFA kishte vendosur që para të gjitha ndeshjeve të organizuara nga kjo shtëpi e futbollit evropian të mbahej një minutë heshtje në kujtim të De Miguelit, i cili ndërroi jetë pas një përplasjeje të rëndë gjatë ndeshjes mes Tenerifes dhe Andorrës.
Para fillimit të takimit në Signal Iduna Park, folësi i stadiumit njoftoi minutën e heshtjes, ndërsa të pranishmit u ngritën në respekt të futbollistit të ndjerë. Megjithatë, pas vetëm disa sekondash, një pjesë e tifozëve mysafirë nisën të flisnin, të bërtisnin dhe të këndonin.
¿Qué pasará por la cabeza de la gente que rompe un minuto de silencio?Esto es una VERGÜENZA. https://t.co/PfFrMjSmP4
— Offsider (@Offsider_ES) November 4, 2026
Situata u përshkallëzua kur i gjithë sektori i tifozëve të Betisit iu bashkua thirrjeve, duke bërë që mbështetësit vendas të reagonin me vërshëllima në shenjë pakënaqësie. Kështu, minuta e heshtjes u ndërpre plotësisht nga sjellja e tifozëve spanjollë.
Pamjet shkaktuan reagime të shumta në rrjetet sociale, ndërsa gazetari spanjoll Albert Ortega e cilësoi sjelljen e tyre si të turpshme dhe të neveritshme.
Deri në atë moment, minuta e heshtjes për De Miguelin ishte respektuar në ndeshjet e tjera, ndërsa incidenti në Dortmund u bë përjashtimi i vetëm i raportuar.
Sa i përket rezultatit, Borussia Dortmundi triumfoi 2-1 ndaj Betisit. Silva kaloi vendasit në epërsi në minutën e 49-të, Ruibal barazoi në të 67-tën, ndërsa Karetsas shënoi golin e fitores për gjermanët në minutën e 72-të. /Telegrafi/













































