“Progres në luftën kundër korrupsionit”, Rama për raportin e BE-së: Evidentohen vonesat në drejtësi! Problem dhuna në protesta
Kryeministri Edi Rama ka komentuar Raportin e Zgjerimit 2026 për Shqipërinë, gjatë konferencës së përbashkët në Kryeministri me ambasadoren e Delegacionit të Bashkimit Europian, Sofia Moreira de Sousa.
Rama u shpreh se raporti evidenton një rritje të dukshme të nivelit të gatishmërisë së Shqipërisë në procesin e integrimit europian, krahasuar me një vit më parë. Sipas tij, përparimi është shënuar në të paktën 20 kapituj negociatash dhe në disa fusha, përfshirë ekonominë, transformimin digjital, arsimin dhe përafrimin e legjislacionit me standardet europiane.
Kreu i qeverisë veçoi gjithashtu vlerësimin pozitiv të Komisionit Europian për funksionimin e sistemit gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit, duke nënvizuar pavarësinë dhe rezultatet e SPAK.
Rama: Raporti tregon se, krahasuar me një vit më parë, niveli i gatishmërisë së Shqipërisë është rritur dukshëm në të paktën 20 kapituj negociatash. Evidenton një përparim në një sërë fushash, nga ekonomia dhe transformimi digjital, arsimi dhe përafrimi i legjislacionit me standardet evropiane. KE vlerëson gjithashtu një progres të mirë në funksionimin e sistemit gjyqësor dhe në luftën kundër korrupsionit, sikundër thekson faktin se SPAK po dëshmon pavarësi dhe po jep rezultate në misionin e tij. Kush e njeh historinë e shtetit shqiptar dhe kthen kokën jo shumë larg në histori, në vitin 2016, kur mori jetë reforma në drejtësi, e kupton rëndësinë që ka ky vlerësim.
Megjithatë, Rama theksoi se raporti nuk lë pa evidentuar as problematikat që vijojnë të mbeten në vend. Ndër to përmendi vonesat në gjykata, nevojën për më shumë vendime përfundimtare në çështjet e korrupsionit, si dhe shqetësimet për funksionimin e institucioneve demokratike, mbikëqyrjen parlamentare dhe lirinë e medias.
Në vijim, kryeministri u ndal edhe te çështjet e mbrojtjes së mjedisit dhe cilësisë së konsultimit publik.
Rama: Por raporti evidenton po ashtu mangësitë në sistemin gjyqësor, vonesat në gjykata, nevojën për më shumë vendime përfundimtare për çështjet e korrupsionit. Po kështu, raporti ngre shqetësime serioze për funksionimin e institucioneve demokratike, mbikëqyrjen parlamentare, lirinë e medias, mbrojtjen e mjedisit dhe cilësinë e konsultimit publik.
Kryeministri komentoi edhe referencat në raport për protestat e zhvilluara gjatë muajve të fundit në vend. Sipas tij, dokumenti evidenton shqetësimet për dhunën dhe pretendimet për përdorim të tepruar të forcës nga policia, ndërsa thekson dialogun si rrugën për adresimin e problematikave.
Rama: Trajton edhe protestat e muajve të fundit, duke vendosur gishtin në plagën e dhunës, por edhe duke cituar pretendimet për përdorim të tepruar të forcës nga policia, ndërkohë që dialogu cilësohet si rruga ku duhet të angazhohemi seriozisht.




