Ambasadorja e BE-së: Shqipëria ka bërë përparim, por korrupsioni mbetet sfidë, reforma zgjedhore urgjente! Projekti në Zvërnec do të vlerësohet
Ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka prezantuar gjetjet e Raportit të Zgjerimit 2026 për Shqipërinë, të miratuar një ditë më parë nga Komisioni Europian.
Gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama në Kryeministri, ambasadorja u shpreh se Shqipëria ka shënuar përparim në procesin e integrimit, duke theksuar se të gjithë kapitujt e negociatave janë hapur dhe katër prej tyre janë mbyllur përkohësisht.
Megjithatë, ajo nënvizoi se vijimi i këtij procesi kërkon përpjekje të mëtejshme, veçanërisht në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ambasadorja Sofia Moreira de Sousa: Dje Komisioni Europian miratoi raportin vjetor për Shqipërinë. Unë ia dorëzova kryeministrit. Më herët ia dorëzova Presidentit dhe më pas do ta paraqes edhe në Kuvend. Raporti është tashmë publik dhe të gjithë shqiptarët mund ta lexojnë.
Mesazhi i raportit është i thjeshtë: Shqipëria ka ecur përpara. Kryeministër, ky mesazh pasqyron punën e fortë të qeverisë suaj dhe të ekipit negociator. Të gjithë kapitujt janë hapur dhe katër prej tyre janë mbyllur përkohësisht. Vijimi i kësaj rruge kërkon përpjekje.
Sa i përket drejtësisë, korrupsionit dhe krimit të organizuar, raporti evidenton përparim të mirë. Këto përpjekje duhet të vijojnë, pasi korrupsioni mbetet një sfidë reale. Çdo reformë apo nismë e ardhshme ligjore duhet të mbështetet në reformën në drejtësi, me qëllim ruajtjen dhe forcimin e sistemit të drejtësisë.
Sa i përket demokracisë, raporti vë në dukje një klimë të polarizuar, mbikëqyrje të kufizuar parlamentare ndaj qeverisë dhe mungesë të konsultimeve publike. Reforma zgjedhore është urgjente. Kjo kërkon një proces gjithëpërfshirës që të shkojë përtej dy partive kryesore.
Sa i përket lirisë së medias, shpifja është dekriminalizuar pjesërisht. Raportimet për përdorim jo proporcional të forcës nga policia ndaj gazetarëve duhet të trajtohen si çështje prioritare.
Sa i përket mjedisit, përparimi ka qenë i kufizuar. Raporti tregon se ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura dhe zgjatja e afateve të ligjit për investimet strategjike kanë sjellë përkeqësim të mbrojtjes së natyrës. Projektet madhore, përfshirë atë të planifikuar në Zvërnec, do të vlerësohen përkundrejt standardeve të BE-së.




