Rama: BE e konsideron ambicioz, por të arritshëm objektivin për mbylljen e negociatave deri në 2027
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se objektivi i Shqipërisë për përfundimin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në fund të vitit 2027 konsiderohet ambicioz, por i arritshëm nga Komisioni Evropian. Gjatë konferencës së përbashkët me ambasadoren e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, Rama u ndal te vlerësimet e raportit të Komisionit Evropian, duke theksuar se Shqipëria ka shënuar përparim, por njëkohësisht përballet ende me problematika që kërkojnë zgjidhje. Kreu i qeverisë vuri theksin edhe te rëndësia e dialogut politik, duke e cilësuar atë jetik për bashkëjetesën demokratike dhe duke nënvizuar përgjegjësinë e shumicës qeverisëse për ta mundësuar atë, veçanërisht me pjesën e shoqërisë që ka qëndrime të ndryshme.
“Dialogu është jetik për bashkëjetesën demokratike. Dhe ne, shumica qeverisëse, kemi përgjegjësinë për ta mundësuar atë. Sidomos me pjesën e shoqërisë që mendojnë ndryshe nga ne”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se raporti i Komisionit Evropian duhet parë në tërësinë e tij, pa u fokusuar vetëm te vlerësimet pozitive apo te problematikat e evidentuara.
“Nuk po flas sot vetëm për anën e ndritshme të këtij raporti, por edhe për anën në hije të kësaj medaljeje. Nuk shoh asnjë kundërshti mes faktit që Shqipëria ka bërë përparim dhe faktit që ky vend përballet me probleme. Të dyja janë të vërteta dhe të dyja përbëjnë këndvështrimin realist të KE-së për Shqipërinë”, u shpreh kryeministri.
Sipas Ramës, përparimi i vendit nuk duhet të shërbejë si arsye për të anashkaluar problemet, ndërsa problematikat nuk duhet të pengojnë vlerësimin e arritjeve të deritanishme. Kryeministri paralajmëroi gjithashtu se ndarja e debatit publik mes atyre që shohin vetëm arritjet dhe atyre që evidentojnë vetëm problemet rrezikon të dëmtojë procesin e integrimit evropian.
“Unë po flas për të dyja, sepse mendoj se kështu duhet të mësohemi ne ta shohim këtu në Shqipëri ecurinë e vazhdueshme pozitive të vendit tonë, ku problemet reale nuk duhet të na pengojnë të çmojmë progresin real dhe, anasjelltas, progresi real nuk duhet të na mbyllë sytë përballë problemeve reale. Ndryshe, duke parë secili vetëm njërën anë të medaljes dhe duke i rënë njëri gozhdës e tjetri patkoit, ushqejmë me ose pa dashje jo vetëm ndasinë tradicionale, por edhe një përçarje që dëmton drejtpërdrejt këtë mision të madh të anëtarësimit në BE dhe cenon interesin tonë kombëtar, pikërisht sepse në këtë moment të dyja së bashku janë të lidhura me një mundësi reale e historike për të kapërcyer pragun deri dje të largët dhe të ndaluar të Evropës së Bashkuar”, deklaroi Rama.
Një tjetër çështje e rëndësishme e përmendur nga kryeministri ishte udhërrëfyesi orientues i paraqitur për herë të parë nga Komisioni Evropian në kuadër të paketës së zgjerimit të këtij viti.
“Duhet të ndalem dhe te një risi me rëndësi të veçantë në paketën e zgjerimit të këtij viti. Për herë të parë KE ka paraqitur udhërrëfyesin orientues për katër vendet më të përparuara në procesin e negociatave: Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë”, tha Rama.
Sipas tij, ky dokument përcakton etapat dhe objektivat që Shqipëria duhet të përmbushë gjatë vitit të ardhshëm, duke krijuar më shumë qartësi dhe parashikueshmëri për procesin.
“Për Shqipërinë, ky udhërrëfyes përcakton etapat dhe objektivat e punës për vitin sfidues që kemi përpara, duke i dhënë vitit shumë qetësi dhe parashikueshmëri. Komisioni e konsideron objektivin tonë për të përfunduar negociatat deri në fund të vitit 2027 ambicioz, por të arritshëm, dhe ky është një vlerësim tejet i rëndësishëm për Shqipërinë”, theksoi kryeministri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



