Rama pranon dështimet dhe kritikat e BE-së: Nuk mund të anashkalohen
Drejtësia, korrupsioni dhe dhuna policore, probleme që nuk mund të fshihen më
Kryeministri Edi Rama ka pranuar publikisht një sërë problematikash të evidentuara nga Komisioni Europian në Progres-raportin për Shqipërinë, duke përfshirë mangësitë në sistemin e drejtësisë, korrupsionin, lirinë e medias dhe përdorimin e forcës nga Policia e Shtetit gjatë protestave.
Deklaratat u bënë gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ambasadoren e Bashkimit Europian në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, me rastin e dorëzimit të Progres-raportit. Ndonëse Rama e cilësoi dokumentin si vlerësimin më pozitiv që Shqipëria ka marrë deri më tani në procesin e integrimit europian, ai nuk mundi të anashkalonte kritikat e Brukselit për problematikat që vijojnë të shoqërojnë vendin.
Mes çështjeve të ngritura në raport janë vonesat në proceset gjyqësore, trajtimi i rasteve të korrupsionit, ndërhyrjet apo përpjekjet për ndikim të papërshtatshëm mbi institucionet e drejtësisë, dobësitë në mbikëqyrjen parlamentare dhe shqetësimet për lirinë e medias.
Një prej pikave më të ndjeshme të raportit lidhet me situatën gjatë protestave të muajve të fundit, ku Komisioni Europian ka evidentuar incidente dhune dhe pretendime për përdorim joproporcional të forcës nga efektivët e policisë.
Pikërisht për këtë çështje, Rama u shpreh se çdo pretendim për tejkalim të kompetencave nga policia duhet të hetohet, ndërsa e drejta për protestë duhet të garantohet.
“Raporti ngre shqetësimin mbi mbikëqyrjen parlamentare, lirinë e medias. Ai trajton edhe protestat e muajve të fundit, duke e vendosur gishtin në plagët e dhunës, duke cituar edhe pretendimet për përdorim të tepruar të forcës nga policia. Ndërkohë, dialogu nënvizohet si rruga ku duhet të angazhohemi seriozisht”, deklaroi kryeministri.
Më tej, kreu i qeverisë theksoi se problematikat e evidentuara nga institucionet europiane nuk duhet të kalohen në heshtje, duke kërkuar hetim për çdo rast të dyshuar të dhunës policore.
“E drejta për protestë duhet garantuar, dhuna duhet ndëshkuar moralisht dhe ligjërisht. Çdo pretendim për tejkalim të forcës nga policia duhet hetuar. Dialogu është kusht për bashkëjetesë. Ne si qeveri kemi përgjegjësi të qartë për ta mundësuar atë”, u shpreh Rama.
Kryeministri u përpoq të theksonte se vlerësimi pozitiv për ecurinë e Shqipërisë drejt BE-së nuk duhet të shërbejë si arsye për të mbyllur sytë përballë mangësive që kërkojnë zgjidhje.
“Siç e shihni, nuk po flas vetëm për anën e ndritshme të këtij raporti, që është më e ndritshme se asnjëherë tjetër, por edhe për anën me hije të kësaj medaljeje”, tha ai.
Në përfundim, Rama deklaroi se përgjegjësia për avancimin e procesit të integrimit europian i takon vetë Shqipërisë dhe institucioneve të saj, duke e lidhur të ardhmen në BE me përmbushjen e reformave dhe detyrimeve të kërkuara nga Brukseli.
“Sot fati është i gjithi në duart tona”, përfundoi kryeministri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



