Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja të shitjes së karburanteve, të cilat hyjnë në fuqi sot, më 5 nëntor, në orën 13:45.
Sipas vendimit, nafta do të tregtohet me jo më shumë se 210 lekë për litër, ndërsa benzina me 169 lekë për litër. Për shitjen me shumicë, çmimi i naftës është përcaktuar në 198 lekë për litër dhe ai i benzinës në 157 lekë për litër.
Çmimet e reja do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të shqyrtohet ecuria e tregut.
Bordi paralajmëron se operatorët që nuk do të zbatojnë kufijtë e përcaktuar rrezikojnë pezullimin e aktivitetit.
Njoftimi i Bordit të Transparencës
Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, zhvilloi mbledhjen e rradhës.
Kështu Bordi i Transparencës në datë 5 Nëntor 2026, vendosi:
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 210 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 198 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 169 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 157 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 5 ora 13.45 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.












