E enjte, 5 Nëntor 2026 Trashëgimtari Halef deri në 13:15 Në vijim ora 13:15: Trazira në Parajsë Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

“Nuk kam thënë kurrë që protestat i organizoi Irani”, Rama: Jam zgjedhur kryeministër në mënyrë demokratike, s’dorëhiqem

Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat e zhvilluara gjatë muajve të fundit në vend, duke hedhur poshtë paralelizmat me lëvizjen studentore në Serbi. Gjatë konferencës për progres-raportin e Komisionit Europian, Rama u shpreh se Shqipëria dhe Serbia janë dy realitete krejt të ndryshme, ndërsa akuzoi organizatorët e protestave se synojnë rrëzimin e qeverisë përmes dhunës.

I pyetur nëse qeveria i është përgjigjur siç duhet mobilizimit qytetar dhe nëse protestat mund të shndërrohen në një lëvizje studentore si ajo në Serbi, Rama u ndal te zhvillimet në Bulevard, duke bërë dallimin mes protestave masive të fillimqershorit dhe tubimeve të mëvonshme, të cilat i cilësoi si të dhunshme.

Rama: Se sa e ngjashme është Shqipëria me Serbinë dhe situata, këtë mund ta konstatoni duke krahasuar qëndrimin e BE-së ndaj ndryshimeve në Serbi dhe ndaj ndryshimeve të mëdha që ka bërë Shqipëria këtë vit. Janë dy realitete që nuk kanë asnjë gjë të përbashkët, pavarësisht përpjekjeve për t’i bashkuar në funksion të një agjende që nuk është agjenda e BE-së dhe e qeverisë, por agjenda e atyre që duan të rrëzojnë qeverinë me dhunë.

Sa i takon mobilizimit të madh, unë e kam thënë vetë dhe e kam bërë vetë dallimin midis protestave masive të fillimqershorit dhe degradimit më pas të Bulevardit në një arenë sorrash dhe korbash, që nuk kishte se si të mos sillte te dhuna. Sepse ishte e dhunshme edhe pa qenë me gurë dhe molotovë në dorë, kur parulla ishte “s’ka dialog, jep dorëheqjen”.

Reklamë

Ne kemi bërë hapa në drejtim të transparencës. Kemi publikuar gjithçka lidhur me Zvërnecin dhe Sazanin dhe nuk kemi parë asnjë kontestim përmbajtësor dhe morali është në anën tonë.

Dua të them që unë i kam dëgjuar me më shumë vëmendje se të gjithë ju dhe se të gjithë të tjerët ata që kanë ardhur këtu poshtë çdo ditë (protestuesit). Kam qenë edhe i detyruar t’i dëgjoj. Ndërkohë që këtu poshtë shanin, ulërinin dhe kërkonin dorëheqjen duke thënë pa pushim “s’ka dialog”, unë isha lart duke punuar me zërin e tyre në sfond. Di gjithçka që është thënë aty poshtë. Nuk ma merr dot shënim asnjë ide, asnjë program, asnjë opsion për Shqipërinë.

Rama theksoi se dorëheqja e një kryeministri të zgjedhur në mënyrë demokratike nuk mund të imponohet përmes protestave, ndërsa nënvizoi se prioriteti i qeverisë mbetet përfundimi i negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian deri në vitin 2027.

Rama: Përfitoj nga rasti i kësaj konference për t’ua risqaruar të gjithëve që në asnjë rast dorëheqja e një kryeministri të zgjedhur demokratikisht nuk imponohet nga rruga. Në rastin tim ka dhe një specifikë tjetër, kilometri i fundit i negociatave. Këtu është e shkruar e zeza mbi të bardhë, mbyllja e negociatave në 2027. Duhet të fokusohemi këtu, jo të humbim mendjen pas molotovëve, gurëve dhe agjendave që s’kanë lidhje me këtë mision.

Në fund, kryeministri komentoi edhe deklaratat e tij të mëparshme për përfshirjen e Iranit në protestat në Bulevard, duke sqaruar se nuk ka pretenduar se protestat janë organizuar nga ky shtet.

Rama: Unë nuk kam thënë kurrë që protestat i organizoi Irani, por kam thënë që duart e Teheranit kriminal janë në Bulevard. Janë me fakte.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.